Ministri i Jashtëm iranian, Abaz Aragçi, ka zhvilluar një vizitë në kryeqytetin e Sirisë, Damask, për t’u takuar me presidentin Bashar al-Assad.
Vizita e tij vjen teksa ushtria siriane ndërmori një seri kundërsulmesh për të zmbrapsur rebelët që kanë marrë nën kontroll Alepon dhe Idlibin, në një ofensivë surprizë.
Mediat pro-presidentit Assad thonë se ushtria ka vrarë rreth 1 mijë rebelë në tre ditët e fundit, por nuk japin asnjë provë për të mbështetur këtë pretendim.
Mbrojtja Civile Siriane, një grup humanitar që vepron në territoret e kontrolluara nga opozita, deklaroi se të paktën 18 persona ishin vrarë në sulmet e së dielës.
Grupi shtoi se një duzinë personash të tjerë u plagosën, ndërsa akuzoi regjimin sirian për sulme të përbashkëta me ushtrinë ruse.
Geir O. Pedersen, i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë deklaroi: “Jemi në një situatë shumë kritike. Me ofensivën e fundit të rebelëve është ringjallur lufta civile dhe natyrisht, kjo ka dhe do të ketë një impakt negativ, së pari, te popullsia civile.”
Kryediplomati iranian e ka vijuar turin e tij në Ankara, ku është takuar me homologun turk për të diskutuar mbi situatën.