Të enjten, Irani njoftoi mbylljen e një instituti kërkimor francez në Teheran në shenjë proteste ndaj karikaturave ku shfaqej lideri suprem i Republikës Islamike, Ayatollah Ali Khamenei, që u botuan nga e përjavshmja satirike franceze, Charlie Hebdo.
Ministria e Jashtme iraniane njoftoi se hapi i parë që ndërmorën është mbyllja e institutit francez, një ditë pasi Teherani ka paralajmëruar Parisin për pasojat.
IFRI është një institut historik dhe arkeologjik i themeluar në vitin 1983 pas bashkimit të Delegacionit Arkeologjik francez në Iran dhe Institutit francez të Iranologjisë në Teheran. Instituti ishte mbyllur për shumë vite, por u rihap nën presidencën e Hassan Rouhanit gjatë viteve 2013-2021.
Që nga 16 shtatori Irani po përballet me protesta pas vdekjes në paraburgim të 22-vjeçares Mahsa Amini, e cila ishte arrestuar nga policia e moralit nën dyshimet për shkeljen e kodit strikt të veshjes për gra.
Charlie Hebdo publikoi të mërkurën karikaturat e Khameneit në mbështetje të protestave, në një edicion special për të shënuar përvjetorin e sulmit vdekjeprurës të vitit 2015 në zyrën e saj në Paris, ku mbetën të vdekur 12 persona./UBTNews/