UBT News

Irani kërkon ‘detaje’ të kërkesave ruse për marrëveshjen bërthamore

Irani tha sot se po pret “detaje” të kërkesave të Rusisë për garancitë e SHBA për rivendosjen e marrëveshjes bërthamore të Teheranit të vitit 2015 me fuqitë botërore, por fajësoi Uashingtonin për zvarritjen e bisedimeve.

Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov tha të shtunën se, përpara se të mbështeste marrëveshjen bërthamore me Iranin, Moska kërkon garanci me shkrim nga Uashingtoni se sanksionet perëndimore të vendosura ndaj saj për luftën në Ukrainë nuk do të ndikojnë në bashkëpunimin e saj ekonomik dhe ushtarak me Teheranin.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, të dielën i hodhi poshtë këto kërkesa si “të parëndësishme”. Sanksionet ndaj Rusisë për pushtimin e saj në Ukrainë “nuk kanë të bëjnë me marrëveshjen bërthamore të Iranit”, tha ai.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Saeed Khatibzadeh tha të hënën “ne kemi parë dhe dëgjuar gjithashtu komentet e zotit Lavrov në media”.

“Ne presim të dëgjojmë detajet e kësaj përmes kanaleve diplomatike”, shtoi ai gjatë konferencës së tij javore për shtyp.

“Bashkëpunimi paqësor bërthamor i Iranit nuk duhet të ndikohet ose kufizohet nga asnjë sanksion, duke përfshirë bashkëpunimin paqësor bërthamor të Iranit me Rusinë” dhe vendet e tjera, tha ai.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë vendosur sanksione të paprecedentë ndaj Rusisë pas pushtimit të saj në Ukrainë./UBTNews/

Exit mobile version