UBT News

Irani kërkon 290 miliardë dollarë dëmshpërblim nga SHBA-ja

Gjykatat iraniane kanë vendosur që Shtetet e Bashkuara t’i paguajnë Iranit 290 miliardë dollarë dëmshpërblim, ka deklaruar të hënën një zyrtar i sistemit gjyqësor iranian.

“Kemi siguruar vendime nga gjykatat vendase, të cilat kanë caktuar një dëmshpërblim prej 290 miliardë dollarësh kundër amerikanëve”, ka thënë Hassan Abdolianpour, kreu i qendrës për avokatët pranë sistemit gjyqësor, sipas televizionit shtetëror.

Sipas këtij televizioni, kërkesa për dëmshpërblim lidhet me veprime të Shteteve të Bashkuara që datojnë disa dekada më parë, raportojnë mediat e huaja.

Ndërkohë, tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, kur SHBA-ja dhe Izraeli ndërmorën një valë sulmesh ndaj Iranit, gjatë të cilave u vra udhëheqësi suprem i vendit, Ali Khamenei.

Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë drejt disa vendeve të rajonit, duke deklaruar se shënjestronte bazat dhe asetet amerikane e izraelite.

Në qershor, memorandumi i mirëkuptimit i nënshkruar në Islamabad mes SHBA-së dhe Iranit, i cili synonte hapjen e rrugës drejt një marrëveshjeje paqeje, përfshinte edhe një klauzolë për hartimin e një plani me vlerë të paktën 300 miliardë dollarë për rindërtimin dhe zhvillimin ekonomik të Iranit.

Irani gjithashtu është përballur prej dekadash me sanksione të rënda amerikane, kryesisht për shkak të programit të tij bërthamor./A.K/

Exit mobile version