Irani hodhi poshtë si “fiksion” të enjten akuzat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës se kishte komplotuar për të vrarë ish-këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Bolton, në hakmarrje për vrasjen e një prej komandantëve të tij të lartë.
Pretendimi i ShBA-së vjen në një moment kritik në bisedimet për ringjalljen e një marrëveshjeje bërthamore midis Iranit dhe fuqive të mëdha, të cilën Uashingtoni e kishte braktisur në 2018.
“Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka bërë akuza pa ofruar prova të vlefshme, duke krijuar një vepër të re fiksioni”, tha zëdhënësi i ministrisë së jashtme të Iranit, Nasser Kanani.
“Këtë herë ata kanë dalë me një komplot që përfshin individë si Bolton, karriera politike e të cilëve ka dështuar”, u tall Kanani.
“Republika Islamike paralajmëron kundër çdo veprimi që synon qytetarët iranianë duke iu drejtuar akuzave qesharake”.
Departamenti Amerikan i Drejtësisë tha të mërkurën se kishte paditur një anëtar të Gardës Revolucionare të Iranit mbi akuzat se ai kishte ofruar t’i paguante një individi në Shtetet e Bashkuara 300,000 dollarë për të vrarë Boltonin.
Plani ka të ngjarë të jetë vendosur si hakmarrje për vrasjen e komandantit të lartë të Gardës, Qasem Soleimani në Irak në janar 2020, tha departamenti./UBTNews/