Irani ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për orkestrimin e largimit të tyre nga një organ i OKB-së për të drejtat e grave, kjo për përgjigjen e vendit ndaj protestave të shkaktuara nga vdekja e Mahsa Aminit.
Republika Islamike ka parë valë protestash që nga vdekja në paraburgim e Mahsa Aminit më 16 shtator, një e re, e cila ishte arrestuar për gjoja shkelje të kodit të veshjes së vendit për gratë.
Qindra njerëz janë vrarë dhe mijëra janë arrestuar nga dhuna që është paraqitur në rrugë, duke çuar në dënimin ndërkombëtar dhe largimin e Iranit të mërkurën nga Komisioni i Kombeve të Bashkuara për Statusin e Grave (UNCSW).
Për këtë, Irani fajësoi Shtetet e Bashkuara, duke thënë se masa ishte rezultat i përpjekjeve të bashkërenduara të armikut të tij dhe se i mungonte “justifikimi ligjor”.
“Ky veprim i njëanshëm i SHBA-së… është një përpjekje për të imponuar kërkesa të njëanshme politike dhe për të injoruar procedurat zgjedhore në institucionet ndërkombëtare”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Naser Kanani.
“Largimi i një anëtari ligjor të komisionit është një herezi politike e cila diskrediton këtë organizatë ndërkombëtare dhe gjithashtu krijon një procedurë të njëanshme për abuzimet e ardhshme të institucioneve ndërkombëtare”, shtoi ai.
Iranit, i cili u zgjodh në këtë organ në prill për një mandat katër-vjeçar, iu hoq anëtarësimi me efekt të menjëhershëm.
Duhej një shumicë e thjeshtë për të miratuar masën, e cila u miratua pasi 29 anëtarë të Këshillit Ekonomik dhe Social të OKB-së (ECOSOC) votuan pro, tetë vende përfshirë Rusinë dhe Kinën votuan kundër dhe 16 abstenuan.
Teksti i rezolutës së OKB-së thoshte se autoritetet iraniane “minojnë dhe shtypin vazhdimisht të drejtat njerëzore të grave dhe vajzave, duke përfshirë të drejtën për lirinë e shprehjes dhe mendimit, shpesh me përdorimin e forcës së tepruar”.
Kreu i Këshillit të Lartë të Iranit për të drejtat e njeriut, Kazem Gharibabadi, tha se motivi i Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e rezolutës ishte mbrojtja e interesave të veta./UBTNews/