UBT News

Irani ‘serioz’ për bisedimet bërthamore, kërkon heqjen e sanksioneve

Irani është “absolutisht serioz” në lidhje me bisedimet bërthamore që pritet të rifillojnë në fund të këtij muaji, i tha presidenti iranian, Ebrahim Raisi, homologut të tij rus, Vladimir Putin, në një telefonatë sot, përcjell UBT News.

“Republika Islamike e Iranit është absolutisht serioze për negociatat dhe ne jemi po aq seriozë për të drejtat e popullit tonë për të hequr sanksionet”, tha Raisi, sipas një deklarate të publikuar në faqen e presidencës.

Bisedimet bërthamore, të cilat janë pezulluar që nga zgjedhja e Raisit në qershor, do të rifillojnë në Vjenë më 29 nëntor si një përpjekje për të ringjallur një marrëveshje të vitit 2015 që i ofroi Teheranit lehtësim nga sanksionet, në këmbim të frenimit të aktivitetit të tij bërthamor.

Marrëveshja u përmbys kur SHBA u tërhoq në mënyrë të njëanshme prej saj në vitin 2018 nën administrimin e Donald Trump, transmeton UBT News.

Palët e tjera në marrëveshje, Rusia, Kina, Gjermania, Britania dhe Franca, do të marrin pjesë në bisedimet e Vjenës në prani të negociatorit evropian, Enrique Mora. Ndërkohë SHBA-të do të marrin pjesë në mënyrë indirekte.

Sipas një deklarate të Kremlinit, Putin u shpreh optimist “që bisedimet e planifikuara në fund të nëntorit do të jenë konstruktive”.

Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian, i kishte bërë thirrje Perëndimit që të mos i bënte “kërkesa të tepërta” Teheranit, në një telefonatë me homologun e tij rus, Sergej Lavrov, në fillim të këtij muaji./UBTNews/

Exit mobile version