UBT News

Irani do t’i mbajë të fikur kamerat e IAEA deri sa të rivendoset marrëveshja bërthamore

Irani do t’i mbajë të fikur kamerat e mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së derisa të rivendoset marrëveshja bërthamore e vitit 2015, tha të hënën kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të vendit, njoftoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim.

Irani informoi Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) se kishte hequr pajisjet e IAEA-s, duke përfshirë 27 kamera të instaluara në bazë të paktit të 2015-ës, pasi agjencia miratoi një rezolutë që kritikonte Teheranin në qershor.

Ne nuk do të ndezim kamerat e IAEA derisa pala tjetër të kthehet në marrëveshjen bërthamore”, tha Mohammad Eslami.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, akuzoi shefin e IAEA-s, Rafael Grossi, se ka “pikëpamje joprofesionale, të padrejta dhe jokonstruktive” mbi programin bërthamor të Teheranit.

Ai shtoi gjithashtu se Teherani shpreson se një rikthim në marrëveshjen bërthamore mund të arrihet së shpejti nëse Shtetet e Bashkuara tregojnë vullnet të mirë.

Pakti bërthamor i vitit 2015 vendosi frenime mbi aktivitetet bërthamore të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare. Presidenti i atëhershëm, Donald Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja në vitin 2018, duke rivendosur sanksione të ashpra ekonomike ndaj Teheranit.

Klerikët qeverisës të Iranit u përgjigjën duke shkelur kufizimet bërthamore të paktit. /UBTNews/

Exit mobile version