Irani dhe Omani kanë arritur marrëveshje për ndarjen e ujërave dhe të ardhurave nga Ngushtica strategjike e Hormuzit, por rihapja e plotë e kësaj rruge ujore mbetet e kushtëzuar nga qëndrimi i Shteteve të Bashkuara. Lajmi është bërë i ditur të mërkurën nga Garda Revolucionare e Iranit.
Zëdhënësi i Gardës Revolucionare, Hossein Mohebbi, tha se Irani dhe Omani kanë zhvilluar negociata për rreth një muaj dhe kanë arritur rezultate që janë të pranueshme për të dyja palët.
Sipas tij, marrëveshja përcakton pjesën e secilit shtet në ujërat e ngushticës, si dhe ndarjen e të ardhurave që gjenerohen nga kjo rrugë ujore.
“Ngushtica e Hormuzit i përket Iranit dhe Omanit”, deklaroi Mohebbi, duke akuzuar njëkohësisht SHBA-në se ka penguar negociatat mes dy vendeve.
Ai paralajmëroi se Hormuzi nuk do të rihapet nëse Uashingtoni nuk pranon kushtet e Teheranit.
“Nëse Shtetet e Bashkuara ndalojnë pengimin dhe rikthehen në marrëveshje, ne mund ta hapim Ngushticën e Hormuzit brenda kuadrit të marrëveshjes së arritur. Nëse SHBA-ja nuk i pranon kushtet tona, ngushtica nuk do të hapet”, tha ai.
Ndërkohë, Irani dhe Omani kanë njoftuar se po diskutojnë një kornizë të përkohshme për rikthimin e lundrimit të sigurt. Plani përfshin krijimin e një korridori të përbashkët të përkohshëm të navigimit dhe një projekt të përbashkët për çminimin e ngushticës. Negociatat teknike do të vazhdojnë për një korridor të përhershëm dhe mënyrën e administrimit të tij.
Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme të energjisë në botë. Para fillimit të konfliktit në shkurt, përmes saj kalonte rreth një e pesta e dërgesave globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm. Ndërprerja e transportit detar ka ndikuar në tregjet globale të energjisë dhe ka rritur shqetësimet për furnizimin.
Zhvillimet e fundit kanë shtuar shpresat për një zgjidhje diplomatike, ndërsa çmimet e naftës kanë shënuar rënie ditët e fundit për shkak të pritjeve për përparim në negociata.
Foto: Associated Press
D.L
