Negociatat për të ringjallur marrëveshjen bërthamore të Iranit kanë hyrë në një fazë “kritike” gjatë së cilës disa çështje kyçe ende duhet të zgjidhen, tha të mërkurën kryediplomati i Teheranit, përcjell UBT News.
Marrëveshja e vitit 2015 i kishte ofruar Iranit lehtësim sanksionesh në këmbim të frenimit të programit të tij bërthamor, por SHBA u tërhoq në mënyrë të njëanshme në vitin 2018 nën presidentin e atëhershëm, Donald Trump.
Fuqitë perëndimore që kanë marrë pjesë indirekt në bisedimet bërthamore me Iranin kanë thënë javën e kaluar se një marrëveshje ishte e arritshme, ndërsa theksuan se “topi ishte në fushën e Republikës Islamike”, transmeton UBT News.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Hossein Amir-Abdollahian tha të mërkurën se negociatat kishin “arritur në një fazë kritike dhe të rëndësishme”.
“Ne shpresojmë se disa çështje të ndjeshme dhe të rëndësishme që mbeten në negociata do të zgjidhen në ditët në vijim me realizëm nga pala perëndimore”, tha ai në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij në Oman, Sayyid Badr al-Busaidi.
Amir-Abdollahian tha se ishte “optimist” për një marrëveshje, ndërsa këmbënguli se Irani nuk do të heqë dorë nga “vijat e kuqe” të tij në negociata. Ai nuk dha detaje të mëtutjeshme.
Bisedimet e Vjenës, të cilat përfshijnë Iranin, si dhe Britaninë, Kinën, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë drejtpërdrejt, dhe Shtetet e Bashkuara në mënyrë indirekte, rifilluan në nëntor.
Ditët e fundit, progres në negociata është raportuar nga Franca, Gjermania, Shtetet e Bashkuara dhe madje edhe Irani.
Shenjat e një marrëveshjeje të bashkuar u shfaqën gjatë javës së kaluar, me Francën që paralajmëroi se Iranit i kanë mbetur vetëm disa ditë për të pranuar një marrëveshje.
“Nuk është çështje javësh, është çështje ditësh”, tha ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian.
“Ne kemi nevojë për vendime politike nga iranianët. Ata kanë një zgjedhje shumë të qartë” i tha ai Senatit francez më 16 shkurt.
Dy ditë më vonë, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se procesi kishte arritur “momentin e së vërtetës”.
Ai tha se “ishte mundësia për të arritur një marrëveshje që do të lejojë heqjen e sanksioneve”, por gjithashtu paralajmëroi se bisedimet mund të dështojnë.
Së fundmi, armiku i betuar i Iranit, Izraeli tha të dielën se një marrëveshje mund të arrihet së shpejti, ndërsa paralajmëroi se do të ishte “më e dobët” se marrëveshja origjinale e 2015-ës./UBTNews/