UBT News

Irani arreston mbi 100 persona nën dyshimet për helmimin e nxënëseve në shkolla

Irani ka arrestuar mbi 100 persona “në lidhje me” helmimin e qindra nxënëseve në shkolla rreth vendit, njoftoi Agjencia Shtetërore e Lajmeve, IRNA.

Duke cituar një deklaratë nga Ministria e Brendshme e Iranit, IRNA tha se ata janë “identifikuar, arrestuar dhe hetuar” në disa qytete, përfshirë edhe kryeqytetin Teheran.

“Nga hetimet fillestare rezulton se një numër i këtyre personave, për shkak të ligësisë apo aventurizmit dhe me qëllim mbylljen e klasave dhe të ndikuar nga atmosfera e krijuar psikologjike, kanë marrë masa të tilla si përdorimi i substancave të padëmshme dhe me erë të keqe”, thuhet në deklaratë.

Irani përjetoi një valë helmimesh, që kryesisht kanë ndodhur në shkollat e vajzave gjatë muajve të fundit.

Derisa politikanët iranianë besojnë se vajzat mund të jenë në shënjestër nga grupet islamike, aktivistët besojnë se helmimet mund të lidhen me protestat mbarëkombëtare që shpërthyen gjatë shtatorit të vitit të kaluar pas vdekjes së Mahsa Aminit. Shumë nxënëse kanë qenë aktive në protesta, duke hequr shamitë e tyre të detyrueshme në klasa, duke grisur fotografitë e liderit suprem, Ayatollah Ali Khamenei, dhe duke bërë thirrje për vdekjen e tij.

Mjekët, prindërit dhe mësuesit kanë akuzuar qeverinë iraniane se po përpiqet të heshtë viktimat./UBTNews/

Exit mobile version