UBT News

Irani akuzon dy aktore për mosmbajtje të hixhabit

Dy aktore të njohura në Iran janë akuzuar për mosmbajtjen e shamive, derisa autoritetet po intensifikojnë përpjekjet për dënimin e atyre që shkelin ligjet e detyrueshme të hixhabit në vend.

Media shtetërore iraniane raportoi se Katayoun Riahi dhe Pantea Bahram janë akuzuar nën dyshimet për heqjen e hixhabit në publik dhe publikimit të imazheve në hapësirë virtuale.

Aktoret e njohura mund të përballen me gjoba ose burgim nëse ndiqen penalisht.

Javën e kaluar u bënë virale fotografitë e 53-vjeçares Bahram duke pozuar pa shami në një shfaqje filmike.

61-vjeçarja Riahi, një tjetër aktore veterane, u arrestua më parë gjatë muajit nëntor nën dyshimet për “bashkëpunim kundër sigurisë kombëtare dhe propagandë kundër pushtetit”, pasi ajo u bë e para nga bashkëmoshatarët e saj që publikoi fotografi në internet pa shami, në mbështetje të protestave mbarëkombëtare që shpërthyen gjatë muajit shtator.

Protestat disamujore filluan pasi Mahsa Amini, një 22-vjeçare, vdiq pas arrestimit të saj nga e ashtuquajtura “policia e moralit” e vendit, nën dyshimet se nuk iu përmbahej ligjeve të vendit për hixhabin./UBTNews/

Exit mobile version