UBT News

Iran: Vazhdon presioni mbi mediat, arrestohet gazetarja që mbuloi funeralin e Mahsa Aminit

Irani arrestoi sot një gazetare që mbuloi funeralin e Mahsa Aminit, tha avokati i saj. Ky është arrestimi i fundit nga një numër i madh gazetarësh që u arrestuan që kur shpërthyen protestat për vdekjen e 22 vjeçares.

Elahe Mohammadi u thirr nga autoritetet gjyqësore, por më pas u arrestua nga forcat e sigurisë ndërsa ishte nisur për t’u marrë në pyetje, shkroi në Twitter avokati i saj, Mohammad Ali Kamfirouzi.

Gazetarja e cila punon për gazetën iraniane Ham Mihan, mbuloi ngjarjen për Mahsa Aminin e cila kishte kaluar tre ditë në koma pas arrestimit të saj nga policia famëkeqe e moralit të Teheranit dhe vdiq më 16 shtator.

Funerali në qytetin e lindjes së Aminit, Saqqez në provincën Kurdistan, ishte një nga shkëndijat që ndezi lëvizjen protestuese, me protestueset që hoqën shamitë e tyre në kundërshtim me rregullat e veshjes së Republikës Islamike.

Javën e kaluar, forcat e sigurisë kishin bastisur tashmë shtëpinë e gazetares në Teheran, tha avokati i saj. Burri i saj shkroi në Twitter se ajo kishte thënë në një telefonatë të shkurtër se po mbahej në burgun Evin të Teheranit dhe nuk ishte e informuar për asnjë akuzë.

Arrestimi i saj vjen pasi policia ndaloi gazetaren Nilufar Hamedi e së përditshmes Shargh, e cila shkoi në spitalin ku Amini shtrihej në koma dhe ndihmoi në ekspozimin e çështjes së saj në botë.

Hamedi mbetet e arrestuar, gjithashtu në burgun Evin të Teheranit, dhe bashkëshorti i saj ka thënë se ajo nuk është në dijeni për akuzat ndaj saj.

Grupet e të drejtave të njeriut akuzojnë Iranin për arrestimin e gazetarëve kritikë, duke synuar veçanërisht ata që kanë mbuluar rastin e Aminit. Qasja në internet është gjithashtu e kufizuar.

Aktivistët thonë se Amini u vra si pasojë e goditjeve në kokë gjatë kohës sa ishte në paraburgim, por kjo nuk është konfirmuar nga autoritetet.

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ) me bazë në Uashington thotë se të paktën 25 gazetarë janë arrestuar që nga shpërthimi i protestave.

“Forcat iraniane të sigurisë duhet të heqin masat e tyre represive kundër gazetarëve që tregojnë këtë histori kritike dhe të rivendosin aksesin në internet që është jetik për të mbajtur publikun të informuar”, tha Koordinatori i CPJ për Lindjen e Mesme, Sherif Mansour.

Reporterët pa Kufij (RSF) me bazë në Paris thanë se sipas informacioneve të tyre, të paktën 33 gazetarë janë aktualisht të burgosur në Iran./UBTNews/

Exit mobile version