UBT News

Iran: Protestuesit përleshen me policinë, qindra njerëz bllokojnë rrugët

Protestuesit iranianë u përleshën me forcat e sigurisë të enjten vonë në qytetin Karaj, rreth 40 kilometra në perëndim të kryeqytetit, Teheran.

Qindra njerëz bllokuan autostradën që kalon nëpër qytet dhe hodhën gurë në drejtim të automjeteve të policisë.

Sipas mediave shtetërore iraniane, një paraushtarak u vra dhe të paktën dhjetë policë u plagosën.

Autoritetet iraniane thanë se bënë disa arrestime dhe që atëherë kanë pastruar autostradën.

Demonstruesit u mblodhën për të shënuar 40-ditëshin nga vrasja e një prej vajzave të reja që u qëlluan gjatë kryengritjes.

Dita e 40-të pas vdekjes së dikujt ka një simbolikë të madhe në Islam dhe kulturën iraniane dhe shënohet me zi publike.

Autoritetet iraniane kanë kufizuar shumë mbulimin mediatik të protestave dhe kanë mbyllur periodikisht aksesin në internet në të gjithë vendin, duke e bërë të vështirë konfirmimin e detajeve të trazirave.

Vdekja e Mahsa Amini në duart e policisë së moralit në mes të shtatorit është në themel të revoltës historike mbarëkombëtare./UBTNews/

Exit mobile version