Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar ndaj veprimeve të Policisë së Kosovës me arrestimin e aktivistëve të Partisë Socialdemokrate (PSD) të cilët mbajtën një aksion simbolik për të penguar konferencën e Kryetares së Gjykatës Speciale, Ekatarina Trandafillova.
KMDLNj thotë se e drejta e protestës është e drejtë e njeriut, për çka përdorimi i forcës është shkelje e këtyre të drejtave.
KMDLNj ka kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës që me rastin e aktivistëve të PSD-së në këtë aksion të nisë hetimet për zyrtarët policorë.
“KMDLNj kërkon hetime të shpejta nga Inspektoriati Policor i Kosovës nëse në rastin konkret kemi të bëjmë me tejakalim të autorizimeve zyrtare të zyrtarëve policorë përmes përdorimit të tepruar të forcës fizike dhe nëse ajo forcë ka qenë në shperputhje me rrezikun real që e kanë paraqitur protestuesit. Këto dyshime për tejkalim të përdorimit të forcës fizike policore ndaj protestuesve, KMDLNj e mbështetë në pamjet nga mediat elektronike. KMDLNj-ë shpreson dhe kërkon nga Policia e Kosovës që gjatë protestave paqësore t’i respektojë të drejtat e njeriut e në raste kur ato nuk respektohen KMDLNj fton Inspektoriatin Policor të Kosovës të bëjë hetime të menjëhershme dhe të marrë masa ndaj shkelësve të ligjit në përputhje me Ligjin”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.
Në mesin e të arrestuarve në aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës ishte edhe Dardan Molliqaj.