Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tre zyrtarëve policorë pasi të njëjtit dyshohen për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” lidhur me reagimin e tyre në një rast të përleshjes. Bëhet fjalë për zyrtarë të stacionit policor në Podujevë.
“Incidenti i përleshjes në mes palëve të dyshuara raportohet të ketë ndodhur më 16 janar 2025 në Podujevë ku disa persona ishin përleshur fizikisht ne mes veti. Zyrtarët policorë kanë kaluar në ato momente në atë segment të rrugës me veturë private (por në uniformë zyrtare) dhe kanë kontaktuar me palët e përfshira në këtë rast”, tha IPK përmes një njoftimi për media.
IPK tha se bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se këta zyrtarë policorë nuk kanë arrestuar ndonjë nga të dyshuarit dhe nuk kanë marrë ndonjë shënim apo veprim tjetër “kështu që palët e dyshuara janë larguar nga vendi i ngjarjes”.
“Dyshimet e hetuesve të IPK-së janë se kjo kishte ndodhur pasi që njëri nga zyrtarët policor kishte lidhje familjare me njërin nga të dyshuarit”, thuhet në njoftim.