Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet lidhur me incidentin ku u përfshi kapiteni i Njësive Speciale të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, në parkingun e Prishtina Mall.
Sipas IPK-së, incidenti kishte nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me parkingun, ku ishin përfshirë Ahmeti, i cili ishte jashtë detyrës zyrtare, dhe dy qytetarë, njëri prej tyre i mitur.
Pas incidentit, personat e përfshirë janë shoqëruar në objektin policor për trajtimin e rastit. Gjatë procedurave, njëri prej qytetarëve ka pretenduar se ndaj tij është përdorur forcë nga një zyrtar policor në Stacionin Policor në Graçanicë.
IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor të dyshuar për keqtrajtim, ndërsa rasti po hetohet në drejtim të veprës penale “Keqtrajtimi gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike”.
Ndërkohë, hetimet ndaj qytetarëve të përfshirë në incidentin fillestar do të vazhdojnë nga Policia e Kosovës, në koordinim me prokurorin kompetent, nën dyshimin për veprën penale të sulmit.
IPK ka bërë të ditur se hetimet janë në fazën fillestare dhe po zhvillohen në koordinim me prokurorin, duke respektuar të drejtat e të gjitha palëve dhe parimin e prezumimit të pafajësisë./A.K/
