Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK janë njoftuar sot në orët e mëngjesit nga Policia e Kosovës për një incident shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.
Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor.
“Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK)”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar.
“Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në komunikatë.