UBT News

iPhone-i i ri po gërvishtet lehtë, çfarë po ndodh?

Vetëm pak ditë pasi doli në treg, përdoruesit e iPhone-it të ri kanë filluar të raportojnë problemet e para.

Në rrjetet sociale, sidomos në TikTok, janë shpërndarë shumë video ku shihet se pjesa e pasme e disa modeleve gërvishtet shumë shpejt.

Gazetari i Bloomberg, Mark Gurman, tha në një video se kjo dukuri është më e theksuar tek modelet me ngjyrë të zezë dhe blu të errët, të cilat duket se janë më të ndjeshme ndaj gërvishtjeve.

Në krahasim, modelet me ngjyrë të artë, të bardhë, apo ato me nuanca të tjera si portokalli, janë më rezistente.

Një tjetër problem i përmendur nga Gurman ka të bëjë me karikuesin pa tel MagSafe. Në disa raste ky karikues lë shenja në pjesën e pasme të iPhone-ve me ngjyra më të errëta, veçanërisht kur telefoni qëndron gjatë në karikim.

Problemi është bërë më i dukshëm këtë vit pasi Apple ka kaluar nga materiali titan tek alumini për modelet Pro dhe Pro Max.

A do të ndikojë në shitje?

Sipas analistëve të Wall Street, ky problem nuk pritet të ketë ndikim serioz në biznesin e Apple.

Gil Luria nga D.A. Davidson tha se çdo gjeneratë e re shoqërohet me shqetësime të tilla e ndryshimet e vogla në dizajn apo materiale marrin vëmendje të madhe. Shtoi se, edhe nëse rezulton problem i përhapur, Apple mund ta korrigjojë pa pasoja serioze afatgjata.

Dan Ives nga Wedbush Securities e quajti situatën me gërvishtjet të “mbivlerësuar” dhe theksoi se iPhone 17 është një produkt “fenomenal”, me përdorues të kënaqur. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version