Për vitin 2021, Serbia ka ndarë 91.8 milionë euro për Kosovën. Pjesa më e madhe e këtij buxheti, 67.7 milionë euro, janë dedikuar për Zyrën për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.
Sërish, pjesa më e madhe e kësaj shume që merr kjo zyrë, rreth 43.7 milionë euro, shkon për të mbështetur funksionimin e institucioneve paralele dhe organizatave të tjera në Kosovë, ndërsa 23.6 milionë euro shkojnë për të mbështetur përmirësimin e cilësisë së jetës së popullatës serbe dhe jo-shqiptare.
Rreth 2.59 milionë euro janë ndarë për “mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, mbështetjen e Kishës Ortodokse Serbe dhe aktivitetet kulturore”.
Fondet e Serbisë për Kosovën ndahen jo vetëm përmes kësaj Zyreje, por edhe përmes ministrive të caktuara.
Përmes Ministrisë së Arsimit të Serbisë ndahen rreth 23.8 milionë euro për të mbështetur punën e të ashtuquajturit Universitet i Prishtinës me qendër në Mitrovicën e Veriut, i cili punon sipas sistemit arsimor të Serbisë.
Ministria e Kulturës e Serbisë ndan rreth 87.000 euro për të mbështetur informimin e qytetarëve në gjuhën serbe.
Përmes kabinetit të ministrit pa portofol, të ngarkuar me inovacionin dhe zhvillimin teknologjik, ndahen 237.000 euro, për të mbështetur përmirësimin e kapacitetit të inovacionit.
Gjithashtu, financohen edhe të ashtuquajturat Qarqe administrative.
Qarku Administrativ i Kosovës, merr rreth 143.000 euro, Qarku Administrativ i Mitrovicës së Kosovës merr rreth 100.250 euro dhe Qarku Administrativ i Anamoravës së Kosovës merr rreth 82.800 euro.
Drejtoria për Bashkëpunim me Kishat dhe Komunitetet Fetare ndan rreth 540.425 euro për “mbështetje për klerikët dhe manastiret në Kosovë”.
Udhëheqësit komunalë dhe deputetët me dy pozita
Se kryetarët e komunave me shumicë serbe, që janë integruar në sistemin e Kosovës, bartin funksione edhe në strukturat paralele, ka mjaft shembuj. Të gjithë ata janë nga Lista Serbe, e cila është themeluar dhe gëzon mbështetjen nga Beogradi zyrtar. Lista Serbe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Kosovës, të mbajtura më 14 shkurt, ka fituar dhjetë ulëse në Kuvendin e Kosovës. Të dhjetë komunat me shumicë serbe në Kosovë, po ashtu drejtohen nga përfaqësues të Listës Serbe.
Për shembull, Zoran Todiq, është kryetar i Komunës së Leposaviqit sipas sistemit të Kosovës dhe njëkohësisht është edhe kryetar i Organit të Përkohshëm të Leposaviqit, sipas sistemit të Serbisë.
Sërgjan Vulloviq është kryetar i Komunës së Zubin Potokut sipas sistemit të Kosovës, por edhe kryetar i Organit të Përkohshëm të Zubin Potokut, sipas sistemit të Serbisë.
Bratislav Nikoliq, kryetar i Komunës së Shtërpcës, sipas sistemit të Kosovës, është njëkohësisht edhe koordinator në Organin e Përkohshëm të Shtërpcës, sipas sistemit të Serbisë.
Funksione të dyfishta, sipas sistemit të Kosovës dhe atij të Serbisë, bartin edhe disa nga deputetët e Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës.
Për shembull, Ivan Todosijeviq, është deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës Serbe dhe njëkohësisht edhe kryetar i Organit të Përkohshëm të Zveçanit.
Slavko Simiq, është deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Listës Serbe dhe njëkohësisht kryeshef i Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, sipas sistemit të Serbisë.
Në bazë të Ligjit për vetëqeverisje lokale të Republikës së Serbisë, Organi i Përkohshëm i njësisë së vetëqeverisjes lokale, kryen detyrat dhe kompetencat e kuvendit dhe organeve ekzekutive të njësisë së vetëqeverisjes lokale “deri në konstituimin e kuvendit dhe zgjedhjen e organeve ekzekutive”.
Ndryshe, takimi i ri mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të mbahet të hënën më 19 korrik, në Bruksel. Siç është raportuar në Bruksel, ky takim do të fokusohet në diskutimin për progresin e arritur – për hapat e ardhshëm në dialog, i cili është shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë.
Ky është takimi i dytë mes Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel.
Për herë të parë, dy zyrtarët janë takuar më 15 qershor.