Lulzim Hetemi, kryetar i Komunës së Leposaviqit, ofron një pasqyrë të thellë dhe të ndërlikuar të ndryshimeve që ka sjellë në këtë komunë dhe përpjekjeve të tij për të ndërtuar një administratë funksionale dhe të qëndrueshme në një zonë të ndjeshme. Me një ton të qartë dhe reflektues, Hetemi flet për transformimin e situatës, duke theksuar përmirësimet e dukshme që kanë ndodhur që nga ardhja e tij në këtë post. Ai diskuton sfidat që ka hasur, nga protestat dhe kërcënimet deri tek mungesa e stafit dhe mbështetje e kufizuar nga institucionet shtetërore.
Përgjatë intervistës, Hetemi tregon për angazhimin e tij dhe përpjekjet për të ofruar shërbime të barabarta për qytetarët e Leposaviqit, pavarësisht pengesave dhe presioneve. Ai gjithashtu kritikon qasjen e ndërkombëtarëve dhe përmend vështirësitë që ka hasur në përpjekjet për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të siguruar mbështetje më të mirë për komunën.
Hetemi përmend angazhimin e tij të vazhdueshëm për të përmirësuar gjendjen e përgjithshme dhe për të krijuar një ambient të sigurt dhe funksional për të gjithë qytetarët, duke u përpjekur të ndryshojë perceptimet dhe të tregojë se puna dhe përkushtimi mund të sjellin rezultate të prekshme dhe të rëndësishme për komunitetin.
Me ardhjen tuaj si kryetar i Komunës së Leposaviqit, cilat situata kanë ndryshuar për mirë?
Lulzim Hetemi: Situata e përgjithshme ka ndryshuar për mirë, si nata me ditën. Kur kemi ardhur këtu, kemi ardhur me polici; vetëm për gjysmë ore ka qenë e mbushur me qytetarë, me sirena, me probleme. Tani e keni parë situatën kur jeni ardhur dhe si keni hyrë. Komuna është e hapur dhe funksionon për qytetarët e Leposaviqit, të cilët shërbehen me të gjitha dokumentet e nevojshme, si çdo qytetar tjetër në komunat e tjera.
Në hyrje të komunës, pamë aparaturën që ishte e funksionalizuar dhe në gjuhën shqipe. A mund të na shpjegoni si funksionon komuna dhe mënyrën e përdorimit të kësaj aparature?
Lulzim Hetemi: Ka një javë që kur kemi vendosur aparatin në gjuhën shqipe; besoj se do ta vendosim edhe në gjuhën serbe dhe do të funksionalizohet në dy gjuhët. Në këtë institucion kemi të gjitha shenjat e Republikës së Kosovës. Shumica e punonjësve të punësuar këtu janë serbë, diku rreth 180 persona. I kemi pasur diku rreth 260 veta në kontratë mbi vepër, kështu që kemi filluar të marrim me konkurs punonjësit që na nevojiten në sektore të ndryshme, që nuk i kemi të çertifikuar. Po ashtu, kemi një marrëveshje me komunën e Podujevës, ku pagesat kryhen përmes kësaj komune.
Jemi te pika kthesë, kur Kosova çohet në këmbë për të parë se çka po ndodhë në Leposaviq. Si u funksionalizua komuna pas protestave të shumta dhe kundërshtimeve të serbëve lokalë për të qenë ju bartës i institucionit?
Lulzim Hetemi: Në fillim, kur kemi ardhur këtu, jemi vendosur në komunë me policinë e Kosovës. Kemi pasur mbrojtjen e afërt të gjashtë personave; këtu ka qenë njësia elitare e Republikës së Kosovës, FITI, NJRSH – Gjilan, dhe NJSO – Mitrovicë. Fillimi ka qenë i tmerrshëm, vetëm me protesta gjatë natës dhe ditës; na kanë sharë, na kanë fyer, na kanë maltretuar, dhe nuk na kanë lënë as të flejmë. Kështu që vendosmëria ime, e shtetit dhe vendosmëria e Policisë së Kosovës kanë qenë kjo kthesë e madhe që ka sjellë sot këtë gjendje të qetë që kemi tani në veri, ku po funksionon komuna si çdo komunë tjetër në Republikën e Kosovës.
Si keni komunikuar me pjesën e jashtme, përfshirë institucionet, familjarët dhe qytetarët?
Lulzim Hetemi: Dy-tre ditë komunikimi ka qenë në rregull, por pas tri ditësh, përmes listës serbe, kriminelëve, na e kanë ndërprerë çdo lidhje me Telekomin e Serbisë—as televizion e as komunikim. I vetmi komunikim që kemi pasur ka qenë këtu nga lartë në zyrën e kryetarit, disa shkrime që na kanë dërguar për të treguar nëse jemi mirë ose jo. Pas dy muajsh protestash, bisedimesh me KFOR-in amerikan, dhe ardhjes së stafit tim nga Mitrovica, tri-katër vajza shqiptare me blinda i kanë sjellë policia e Kosovës. Fillimisht kanë ardhur diku rreth 45 persona serbë në punë. Krejt këto sakrifica kanë qenë që qyteti të jetë siç është sot; vendosmëria ka bërë që Leposaviqi dhe veriu të jenë kështu.
Sa dhe si e kanë pritur këtë veprim, këtë lëvizje, serbët që kanë qenë duke punuar në komunë? A kanë qenë ata të përfshirë brenda institucionit?
Lulzim Hetemi: Në atë periudhë, serbët lokalë në zonë nuk e kanë pritur mirë situatën dhe kanë qenë të shtyrë dhe të manipuluar gjoja se ja kemi nxënë, ja kemi marrë komunën, i kemi lënë pa vende të punës. Janë munduar përmes amerikanëve dhe bisedimeve me ta, se dëshirojnë të hyjnë 100- 200 persona këtu dhe nuk i kemi lejuar sepse nuk e dinin se me çfarë prapravije politike po vepronin. Kështu që nuk i kemi lejuar kurrë që të vijnë në punë stafin e mëhershëm që kanë qenë aty.
Cila është sfida më e madhe që po përballeni aktualisht?
Lulzim Hetemi: Situata më e vështirë që po përballem sot është stafi i mëhershëm. Nuk kemi staf të mëhershëm në prokurim, financa, dhe çdo gjë që ne bëjmë kalon përmes komunës së Podujevës, për të cilën kemi marrëveshjen.
E kuptojmë kompleksitetin e situatës me serbët lokalë, por sa shpesh jeni përballur me kundërshtime nga shqiptarët që nuk e kanë dashur, pranuar pozitën tuaj?
Lulzim Hetemi: Nuk e di, por kur kam qenë këtu i mbyllur për 7 muaj, kam pasur mesazhe, që më kanë thënë ‘kryetari lësho komunën’, duke pyetur çfarë po bëja dhe duke thënë se po përdorem nga qeveria dhe Vetëvendosja. U befasova, por tani po tregojmë me punë. Po i tregojmë edhe kundërshtarëve se nuk e kishin menduar se do të përballeshin me këtë situatë. Nganjëherë flasim me qeveritarët, por ne na duhet të punojmë dhe jo të flasim. Puna dhe rezultatet tregojnë vetë.
Çfarë e mban gjallë motivin tuaj për të vazhduar punën dhe për të kontribuar në këtë vend dhe institucion?
Lulzim Hetemi: Motivi është që edhe ata që vijnë pas nesh, duhet të punojmë mirë për të treguar qytetarëve të Leposaviqit se ne jemi më të mirë se ata 10 që kanë qenë më herët. Qytetarit serb nuk i intereson se kush është kryetar – a është shqiptar, serb apo ndonjë tjetër. Qytetarëve u interesojnë shërbimet që tani i marrin, si ndërrimi i patentave, regjistrimi i automjeteve, pasaportat, leternjoftimet, dhe çdo gjë tjetër që ka qenë në zyrat e fshatrave. Ne i kemi sjellë këto shërbime këtu në komunë. Për këtë komunë kemi luftuar që të jetë në funksion. Kur kam ardhur këtu, shumica kanë qenë të ardhur. Ka qenë komunë e Republikës së Serbisë dhe tani është komunë e Republikës së Kosovës.
Qytetari serb është i interesuar të jetojë i lirë. Qytetarët na kanë thënë që na keni çliruar nga bandat. Është e vërtetë që me ardhjen tonë i kemi çliruar. Para dy javësh, qytetari i Suçanicës mori përurimin e nënstacionit, një ngjarje e jashtëzakonshme për shkak të distancës së madhe nga Suçanica në Leposaviq. Shumë herë kanë ardhur te kryetari dhe komandanti i policisë për të bërë patrullime edhe natën në Suqanicë dhe në qytet e Leshakut. Siguria dhe liria janë gjithçka. Kulmi i gjithçkaje është liria.
Sa është mbështetja nga institucionet qendrore dhe a keni kontakt të përditshëm me ta?
Lulzim Hetemi: Sa kam qenë këtu në komunë, komunikimi dhe vizitat i kanë bërë disa figura kryesore të qeverisë. Kam komunikuar gjithmonë me ministrat dhe me Xhelalin. Kam komunikuar me kryeministrin Albinin dy herë në javë, online, derisa kemi vendosur të dalim prej këtu.
Kur kam qenë në komunë i mbyllur, vizitat dhe takimet janë bërë nga disa figura kryesore të qeverisë. Kur u aktivizuan të gjitha dhe i sollëm të gjitha zyrat këtu, qytetarët serbë filluan të vinin dhe të merrnin shërbime. Vendosa të dal dhe kisha bindjen se as amerikanët nuk do të kishin ndonjë problem, edhe nëse kthehesha këtu. Kështu që e bëra një test. Ditën që i kam bërë 7 muaj këtu, dolëm nga këtu me mbrojtjen e afërt, shkuam në Mitrovicë, pimë kafe, shkova në shtëpi dhe u kthyem përsëri këtu. Përkrahja nga institucionet shtetërore është, por nuk është e kënaqshme. Kam pritur më shumë nga institucionet e shtetit, veçanërisht disa ministri si ajo për rrugë dhe bujqësi. Nuk kemi staf dhe të gjitha punët që duhet të finalizohen na duhet t’i realizojmë përmes komunës së Podujevës, dhe nuk jam i kënaqur me sa kam pritur. Kam pritur që të aktivizohen disa ministri të infrastrukturës, bujqësisë dhe pushtetit lokal. Kemi përkrahje, por jo të kënaqshme.
Te kush është faji?
Lulzim Hetemi: Nuk e di ku është faji. Siç thotë populli, duket se “po lihet në asgjë”. Disa shtëpi janë ndërtuar në disa fshatra në Mitrovicën e Veriut, dhe gjithçka është në rregull. Si kryetar i komunës, në komisionin ku jam, jam i zhgënjyer sepse po ndërtohen shtëpi për disa persona që nuk janë duke jetuar aty. Problemi është që duhet të dihet se kujt po i ndihmohet me ndërtimin e shtëpive, e jo të ndërtohen vikendica.
Ne e kuptojmë që ura e Ibrit është një shqetësim për Mitrovicën, por a vërehen kundërshtimet e shumta të serbëve që shfaqen aty edhe në komunën tuaj?
Lulzim Hetemi: Unë besoj dhe jam i bindur që me qendrimin tim gjatë këtyre shtatë muajve, e di se çfarë duan dhe çfarë mendojnë edhe ndërkombëtarët. Nuk kam pasur probleme me KFOR-in; problemi është që nuk kam shkuar në takim me Hovenierin. Amerikanët më kanë kërkuar të dal prej këtu, por u kam thënë jo derisa të funksionalizohet komuna, dhe ashtu ka ndodhur. Në fund, më kanë sjellë gjeneralin nga Bondsteeli, dhe i kam thënë të njëjtat fjalë, dhe më kanë lënë në qetësi.
Edhe për urën e Ibrit dhe për gjithçka tjetër, qytetari i thjeshtë serb i veriut, jo i Leposaviqit por i veriut në përgjithësi, nuk e intereson më se kush është. Atij i intereson që të mos mashtrohet dhe të mos vidhet; ai dëshiron liri dhe këta nuk e kanë pasur. Serbët e veriut nuk kanë pasur liri prej vetes.
Nuk e di çfarë është bërë me urën e Ibrit dhe pse është politizuar. Sikur të isha kryetar i komunës së veriut, do të kisha marrë një vendim dhe nuk do të kisha bërë telashe as për qeverinë dhe as për kryeministrin. Si kryetar i komunës, do ta kisha larguar atë, ditën që asambleja ka miratuar heqjen e blloqeve nga aty. Ku është problemi? Ne në Leposaviq, çfarë thellësie kemi dhe nuk kemi fare probleme. Tani është bërë një problem për amerikanët, evropianët dhe ndërkombëtarët, në mes të Kosovës. Çfarë është ky simbol? Kujt i shkon për shtati ky simbol? Vetëm Serbisë dhe Vučićit, sepse ai e sheh si simbol të ndarjes së Kosovës dhe nuk e intereson shumë për qytetarin serb të veriut apo të Leposaviqit.
Situata më e vështirë në të cilën gjendet sot Kosova?
Lulzim Hetemi: Situata më e vështirë, sipas meje, është që ne nuk jemi përballë Serbisë dhe nuk jemi të koordinuar mes veti. Kur jemi 50-50, gjysma këtej e gjysma andej, është normale që edhe ndërkombëtarët na kthejnë kundër. Ku është logjika e evropianëve që të vendosin sanksione ndaj nesh? Sikur të isha unë kryeministër, nuk do të kisha biseduar me ta; për çfarë të bisedohej? Na kanë lënë në një situatë ku duhet të marrim veprime në shtëpinë tonë, në shtetin tonë, dhe ua kanë lënë Serbisë në bisedime.
Çfarë kuptimi kanë këto bisedime? Çfarë kuptimi ka Asociacioni? Sikur të isha në qeveri dhe kryeministër, nuk do ta isha krijuar kurrë Asociacionin. Evropianët janë këtu dhe bota është këtu; le të shohin si po jeton qytetari serb që nuk gjen askund tjetër në botë kaq të lirë si këta. Çfarë kompetencash u kemi dhënë?
A keni hasur në kërcënime të ndryshme kohët e fundit? Nëse po, mund të na përshkruani me detaje llojet e kërcënimeve që keni marrë dhe natyrën e tyre?
Lulzim Hetemi: Kërcënimet as nuk i kam vërejtur dhe as nuk kam ditur t’i ndiej fort; as nuk më kanë interesuar as më parë. Kur kam ardhur këtu në fillim, kam ditur që do të përballemi me kërcënime, probleme dhe telashe. Por unë kam pasur një qëllim, si ai që vrapon dhe arrin në finish dhe ndalet. Ne kemi vrapuar deri në Jarinje dhe jemi ndalur aty, sepse është toka jonë, është e bekuar dhe nuk më ka interesuar asnjë punë tjetër.
A do të kandidoni përsëri për kryetar të komunës apo për deputet?
Lulzim Hetemi: Nuk besoj që do të kandidoj as për kryetar të komunës e as për deputet; si Lulzim Hetemi, jam i bindur për këtë.
Jam i bindur, dhe këtë e vlerësojnë edhe qytetarët, se e kam kryer punën time. Pra, shtetit i mbetet që, edhe pasi të dalim nga këtu, duhet të bëjë disa rregullore dhe ligje që të mos guxojë askush të prekej simbolet e shtetit ose të mos dalë në zgjedhje fare. Ligje që nuk guxon të preket flamuri, as presidenti, as vula që e kemi këtu.
Ne kemi gjetur që miliona janë lëshuar pa vulë, vetëm me një nënshkrim, dhe tani na sulmojnë dhe na vijnë auditorë. Duhet të dinë pak më shumë se ku jeton kryetari Hetemi. Ne nuk kemi problem me Listën Serbe këtu në Leposaviq; problemi në Leposaviq e Veri është me BIJA-Serbe, me Republikën e Serbisë që i ka njerëzit këtu. Lista Serbe për shtetin e Kosovës është shumë e vogël, një pikë uji në oqean. Kur duan të thonë se janë të gatshëm për zgjedhje për postin e kryetarit të Leposaviqit dhe për komunën e Leposaviqit, jemi të gatshëm jo vetëm unë si kryetar, por edhe shteti dhe qeveria, por ata nuk e duan askënd.
A është e arsyeshme që një kryetar shqiptar të udhëheqë një komunë me shumicë të popullsisë serbe?
Lulzim Hetemi: Krahasimi i Luginës së Preshevës me veriun është si nata me ditën. Është interesante se këtu kanë liri dhe është më mirë me kryetarin Hetemi sesa me Sllavishin, Petkoviqin dhe ‘dreqin e të birin’ ata i kanë vjedhur, i kanë rrahur dhe nuk kanë pasur ku të ankohen. Kryetari Hetemi nuk i vjedh dhe nuk i mashtron; ne po mundohemi të punojmë për të mirën e shtetit të Kosovës dhe për të mirën e qytetarëve serbë të veriut.
Si do ta gjejmë komunën pas një viti, kur nuk do të jeni kryetar?
Lulzim Hetemi: Jam i bindur që shteti i Kosovës dhe qeveria duhet të kenë kujdes për ata që vijnë këtu dhe të ndryshojnë disa ligje dhe mendësi që kemi si shqiptarë, dhe të bashkëpunojnë më mirë.
Nuk e di ku është problemi me ndërhyrjet në shtëpi; nuk e di që ka diçka të tillë në botë. Thonë “miku thyej kryet për muri”, por kjo është e paimagjinueshme. Miku duhet të pritet si mik dhe të diskutohet si mik.
Rasti im është konkretisht kur kam kundërshtuar ambasadorin amerikan dhe amerikanët këtu që më kanë sjellë probleme. Ne kemi problem me vetveten; ku ndërkombëtarët krahasojnë Leposaviqin dhe veriun e Kosovës me Graçanicën, e cila është me simbole të Republikës së Serbisë dhe struktura paralele. Shko, vendos një flamur atje në Preshevë dhe shiko, pse shqiptarët e Maqedonisë nuk krijojnë probleme atje? Edhe ata kanë pasur probleme me maqedonasit dhe mund të kishin kërkuar një autonomi, një asociacion, madje atyre u takon më shumë se atyre që po kërkojnë për Serbi. Ne nuk kemi kërkuar kurrë ndonjë gjë; pse shqiptarët e Malit të Zi nuk kërkojnë asgjë? A është kjo Evropa? A janë këto amerikanët? Po nëse ne do të ngriheshim dhe të kërkonim për shqiptarët në Greqi? Ne duhet të ndryshojmë që të ndryshojë edhe miku, dhe Evropa e Amerika.
Çka ju mbeti peng e që nuk realizuat deri tani si kryetar?
Lulzim Hetemi: Peng është që nuk kemi staf për të punuar disa rrugë dhe për të investuar në bujqësi. Kur qytetari dhe bujk i shkreti në thellësi të fshatrave të Leposaviqit janë pa rrugë dhe pa asgjë, askush nuk e ka parë këtë. Lista Serbe me Hetemin i ka dhënë vetëm njerëzve të vet. Këtu është një varfëri e jashtëzakonshme për popullin serb; këtë nuk e kam ditur. Kam menduar që ata marrin buxhetin në të gjithë sektorët dhe kam menduar se nuk ka qytetarë të varfër në Leposaviq. Ata i kishin lënë në tmerr. Nëse do të kisha staf tim për të punuar dhe për t’i treguar se kryetari Hetemi është më i mirë se 10 serbët./UBTNews/
Gazetare: Dionesa Ebibi