Pas vizitës së përbashkët javën që shkoi të diplomatit amerikan Escobar dhe të ngarkuarit evropian Lajçak, i ngarkuari britanik për Ballkanin, Sir Stuart Peach, zhvilloi bisedime në Kosovë dhe Serbi.
Në dy javët e fundit pati intensifikim të vizitave të diplomatëve perendimorë në Kosovë e Serbi për të shtyrë përpara dialogun tashmë të pezulluar, për të arritur një marrëveshje finale ndërmjet dy vendeve.
Pas vizitave të të ngarkuarit amerikan për Ballkanin Gabriel Escobar dhe atij evropian për dialogun Mirosllav Lajçak, Kosovën e vizitoi edhe emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, i cili diskutoi me krerët e institucioneve të Kosovës për dialogun Kosovë-Serbi.
Njohje reciproke
Takimi ishte me dyer të mbyllura, prandaj diplomati britanik nuk foli për mediat, ndërsa Presidentja Vjosa Osmani, në një njoftim tha se Kosova është e përkushtuar ndaj dialogut, si proces i përqendruar në njohjen reciproke dhe se ky proces sipas saj, “duhet t’i trajtojë palët në mënyrë të barabartë”.
“Pala kosovare është konstruktive në dialog dhe se Serbia po shkakton obstruksione duke mos i zbatuar marrëveshjet e nënshkruara”, thuhet në një njoftim të presidencës dhe në këtë kontekst thuhet se “Presidentja ka përmendur edhe ndikimin negativ të Rusisë në rajon si një tendencë e hapur për destabilizimin e rajonit”.
Presidentja Osmani ka deklaruar se “Mbretëria e Bashkuar është ndër aleatët tanë kryesorë, me rol kyç në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe shtet-ndërtimit të Kosovës. Sa më i madh roli i këtij shteti në proceset e rëndësishme të rajonit tonë, aq më të mëdha e më të dobishme do të jenë rezultatet për qytetarët tanë”.
Kosova e angazhuar në procesin e dialogut në Bruksel
Dialogu me Serbinë, ishte temë diskutimi e emisarit të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach edhe me kryeministrin Albin Kurti, pa praninë e medieve. Kryeministri kosovar lidhur me këtë temë ka thënë se shtetësia e Kosovës duhet të mbetet e pacenuar.
“Qeveria e Republikës së Kosovës është e angazhuar në procesin e dialogut në Bruksel. Dialogu duhet të jetë parimor dhe të respektojë barazinë e palëve dhe ku përfitues përfundimtarë janë qytetarët e jo politikanët”, tha kryeministri Kurti, duke ritheksuar se “integriteti territorial, sovraniteti, funksionimi shtetëror, kushtetutshmëria dhe ligjshmëria, tërë kohën dhe kudo, të ngelen të pacenuara”. Sipas tij, “marrë për bazë përvojën e gjatë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, emisari Peach shprehu gatishmërinë dhe vullnetin e tij për të ndihmuar në procesin e dialogut”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.
Serbia për zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme
Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, para se të vij në Kosovë, ishte në Serbi ku takoi presidentin serb Aleksandër Vuçiq. Sipas njoftimit të Presidencës serbe, në takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, Peach ka deklaruar se bashkë me partnerët nga BE-ja dhe SHBA-ja do të punojë në mbështetje të dialogut Kosovë-Serbi.
Në këtë takim, sipas presidencës së Serbisë, Vuçiq ka thënë se “Serbia vazhdon të përpiqet për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dy anët dhe se mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj dialogut si e vetmja mënyrë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura”. Në Serbi, Sir Stuart Peach ka thënë se në rolin e ri si i dërguar për Ballkanin Perëndimor do të bashkëpunojë me përfaqësuesin e BE-së për të mbështetur dialogun mes Kosovës dhe Serbisë drejt gjetjes së një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Çështja e Asociacionit të Komunave Serbe
Gabriel Escobar, i ngarkuar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor dhe i ngarkuari evropian për dialogun Kosovë–Serbi, Miroslav Lajçak thanë gjatë vizitave javën e kaluar se edhe Kosova edhe Serbia duhet të zbatojnë marrëveshjet e deritashme. Në këtë mes përfshihet edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe,por pa e dëmtuar tërësinë dhe funksionalitetin e Kosovës. Çështja e Asociacionit të Komunave Serbe është pika që i ndan në qëndrime Kosovën dhe Serbinë dhe një ndër shkaqet kryesore të ngecjes së dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Serbia kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, por kjo hidhet poshtë nga Prishtina. Mirosllav Lajçak, tha se gjatë bisedave me udhëheqësit politikë kosovarë e ka bërë të qartë se “respektojmë plotësisht parimet e Kosovës që janë integriteti, rendi kushtetues dhe funksionaliteti”.
“Kosova është palë e barabartë në bisedime, që nënkupton se asgjë nuk mund t’i imponohet Kosovës, pa pajtimin e saj. E dëgjoj shpesh se nuk duam një Republikë Serbe dhe mendoj që kam qenë shumë i qartë shpesh se askush nuk dëshiron një Republikë Serbe në Kosovë. Ka një parim universal se çdo gjë për të cilën është rënë dakord, duhet të zbatohet dhe këtë ua themi të dyja palëve”, thotë zoti Lajçak.
Escobar: Pavarësa, sovraniteti dhe tërësia tokësore e Kosovës
Zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi, ku përfshihet edhe Asociacioni i Komunave Serbe e nënshkruar si marrëveshje e parimeve në vitin 2013, e kërkoi edhe diplomati amerikan, Gabriel Escobar, por tha se “është çështje e bisedimeve se cili do të mund të ishte modeli i themelimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe”.
“Synimi im me përmendjen e faktit se ekzistojnë shumë mundësi për themelimin e asociacionit, ishte të them që nuk duhet të jetë një model që dëmton sovranitetin dhe funksionalitetin e Kosovës. Duhet ta gjejmë një model të tillë, që mund të negociohet dhe të arrihet marrëveshje rreth tij. Ky është qëllimi i bisedimeve. Nuk është qëllimi i Shteteve të Bashkuara të imponojë një të tillë”, thotë Gabriel Escobar. Ai përsëriti se “kjo administratë sikurse administratat e kaluara, mbështesin fuqishëm pavarësinë, sovranitetin dhe tërësinë tokësore të Kosovës”, duke shtuar se “përtej kësaj, është pjesë e bisedimeve se si të dyja vendet, Serbia dhe Kosova arrijnë normalizimin”.
Pak histori
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka nisur në vitin 2011 dhe deri tash janë arritur 23 marrëveshje në nivel teknik dhe politik, por vetëm disa nga to zbatohen.
Duke e parë ngecjen e dialogut Kosovë-Serbi, në prill 2020 BE- njoftoi se kishte emëruar zyrtarisht Miroslav Lajçakun si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor. Këshilli i BE-së përmes një njoftimi për media theksonte se detyra e Përfaqësuesit të ri Special të BE-së do të jetë arritja e një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.
Më vonë ndërkaq, në shtator të vitit 2021, SHBA-së, njoftuan zyrtarisht se Gabriel Escobar është i dërguar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor. Në njoftimin e Departamentit të Shtetit për Evropë dhe Euroazi, thuhej se Escobar “po punon në dialogun Kosovë-Serbi, që po lehtësohet nga BE-ja, për sigurimin për anëtarësimin rajonal të BE dhe presionin e udhëheqësve të Bosnjës për të çuar përpara reformën dhe respektimin e sovranitetit, integritetit territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës.
Dy muaj më vonë, në dhjetor 2021 kryeministri britanik, Boris Johnson emëroi Sir Stuart Peach të dërguar të posaçëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit. Në njoftimin për media thuhej se “si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Sir Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, dhe me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal.
“Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thuhej në njoftimin e Mbretërisë së Bashkuar.DW