UBT News

Inteligjenca e ushtrisë aset vital i sigurisë kombëtare

Miratimi i Projektligjit për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes (AISM) është një arrtije e madhe në përmbushjen e rolit dhe misionit ushtarak të FSK-së dhe Ministrisë së Mbrojtjes, në aspektin e sigurisë së mbrojtjes në gjithë kompleksitetin e aktiviteteve ushtarake, brenda dhe jashtë vendit.

Shërbimi inteligjent i ushtrisë mbetet një domosdoshmëri e lartë e ofrimit të sigurisë për nevoja të funksionimit të forcave të armatosuara, të papenguara nga çfarëdo lloj cenimi të sigurisë.

Ky shërbim do të sigurojë që FSK të ecë e sigurt në ushtrimin e aktivitetit të vet brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës me qëllim të përmbushjes së misionit të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në garantimin e sovranitetit të vendit dhe pjesëmarrjen në misionet paqëruajtëse kudo në botë.

Një agjenci ushtarake e inteligjencës, që merret specifikisht me inteligjencën për nevoja të mbrojtjes, duke përfshirë grumbullimin e informacionit, analizën dhe përpunimin e informacione të inteligjencës për sigurinë e trupave të FSK-së, rrjedhimit për sigurinë e misionit të FSK-së, qoftë brenda Kosovës, apo edhe jashtë Kosovës, në operacioneve paqeruajtëse që mund t’i marrë, qoftë ndaj kërcënimeve që mund të vijnë ndaj kapaciteteve ushtarake dhe aseteve të FSK-së, mbetet në një rol të pazëvendësueshëm për sigurinë nacionale në përgjithësi, sidomos për përmbushjen e misionit të FSK-së në veçanti.

Në të kaluarën për arsye objektive, kjo fushë nuk ka qenë mjaftueshëm e mbuluar, si një mekaziëm i posaçëm me një strukturë funksionale, të rregulluar sipas standardeve të avancuara të mbrojtjes dhe sigurisë.

Kjo agjenci do të ushtrojë aktivitetin e saj brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Kosovës me qëllim të mbështetjes së Ministrisë së Mbrojtjes (MM) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në fushën e zbulimit, kundërzbulimit dhe sigurisë lidhur me kërcënimet apo rreziqet e mundshme për kryerjen e misionit të tyre.

Zakonisht Agjencitë e Inteligjencës ushtatake  veprojnë në fushën e Sigurisë së Mbrojtjes si pjesë unike e Forcave të Armatosura, duke i mbështetur në misione në kuadër të NATO, BE, ShBA-ve dhe OKB,  kudo që iu kërkohet nevoja.

Natyrisht se AISM ushtron kompetenca ekskluzive – superiore të fushëveprimtarisë mbi veprimtari që lidhen me kërcënime ose rreziqe që synojnë të cenojnë, ose cenojnë Forcat e Armatosura në realizimin e misionit të tyre kushtetues. AISM bashkëpunon në fusha me interes bilateral dhe reciprok, me institucione homologe partnere të inteligjencës dhe sigurisë, si dhe me institucione brenda vendit, duke lidhur marrëveshje dy ose më shumëpalëshe.

Në princip funksional ASIM është pjesë e integrale e Ministrisë së Mbrojtjes, duke mbështet autoritetet ushtarake të drejtimit e të komandimit të FSK-së me inteligjencë në fushën e Zbulimit, Kundërzbulimit dhe Sigurisë, në përmbushje të misionit të tyre kushtetues.

Detyrat specifike që ka në mandat ligjor AISM-ja janë edhe trajtimi i përpunimit të kërkesave vjetore të nivelit strategjik për inteligjencë ushtarake:

Kur produktet inteligjence shumëburimëshe të nivelit strategjik, për autoritetet e komandimit të Forcave të Armatosura të FSK-së, përpilohen në përputhje me parimin e nevojës për njohje në kohë reale të nivelit operacional; Agjencia e Inteligjencës së Ushtrisë, zakonisht  grumbullon, përpunon, vlerëson, analizon dhe shpërndan të dhëna dhe informacione kredbile si dhe i paraqet në bazë të nivelit të analizës si produkte inteligjence shumëburimshe për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës, lidhur me sisteme të mbrojtjes, grupe apo organizata kërcënuese të vendeve të huaja, aktivitete të subjekteve armiqësore të huaja, të cilat mund të kërcënojnë ose të rrezikojnë veprimtarinë e Forcave të Armatosura të FSK-së, Ushtrisë së Kosovës dhe cenon zbatimin e politikave strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes.

Një komponentë tjetër me tepër rëndësi këto shërbime inteligjente të ushtrisë, zakonisht i  kryejnë edhe procedurat për pajisjen me “certifikatë sigurie” të personelit ushtarak dhe civil të Ministrisë së Mbrojtjes, të Forcave të Armatosura dhe “certifikatë sigurie industriale” të subjekteve që kërkojnë të hyjnë në marrëdhënie kontraktuale të aktivitetit të prokurimit.

Sikundër çdo institucion tjetër i inteligjencës ushtarake, edhe AISM në mandatin e vet ka për detyrë të grumbullon, përpunon, vlerëson, analizon, shpërndan të dhëna e informacione dhe paraqet produkte finale inteligjence shumëburimshe për Ministrinë e Mbrojtjes, lidhur me kërcënime të natyrës kritike të sigurisë së brendshme, duke përfshirë; terrorizmin; ekstremizmin; spiunazhin, sabotazhit, diversionit, subversionit, armëve të shkatërrimit në masë, kërcënimeve kibernetike të krimit të organizuar, asimetritë e luftës hibride ndaj kapaciteteve mbrojtëse të vendit.

Gjithashtu, ky lloj shërbimi, garanton sigurinë kolektive të veprimtarisë së vet, të personelit, të informacionit të klasifikuar, infrastrukturës kritike, të sistemeve të komunikimit, shkëmbimit të informacionit të klasifikuar, sipas niveleve të klasifikimit “sekret shtetëror”, gjithnjë duke ruajtur interesat vitale të sigurisë nacionale në bashkërëndim me aleatët strategjik – NATO-n.

Si përfundim, Agjencitë e Inteligjencës Ushtarake, në këtë rast AISM shkëmben rezultate kredibile të produktit final të informacionit inteligjent, bashkëvepron dhe kryen operacione të ndërveprueshme me aletatë dhe struktura të inteligjencës së NATO dhe BE -në, kooperon dhe bashkëpunon me shërbime dhe me agjenci të inteligjencës së vendeve anëtare të NATO-s dhe të BE-së dhe agjencitë partnere në interes të mbrojtjes kolektive.

Shënim:

(Autori është doktor shkence, profesor në programin për Studime të Sigurisë në UBT, i profilizuar dhe njohës i politikave të Sigurisë Kombëtare dhe Inteligjencës)

Exit mobile version