Nga Riccardo Manzotti
Ajo mund të quhet fare mirë një gjëegjëzë e kohëve moderne:”Dëgjon por nuk kupton, flet por nuk di të mendojë, vëzhgon por nuk sheh. Çfarë është?”. Sot përgjigja është: Inteligjenca Artificiale (AI).
Ndërsa deri vonë nuk mund të thuhej se makinat ishin në gjendje që t’i kryenin këto aktivitete, vitet e fundit, falë zhvillimit të algoritmeve të Mësimit të Thellë dhe përdorimit të sasive të mëdha të informacionit të Big Data, Inteligjenca Artificiale është bërë e aftë të dëgjojë, të flasë dhe të shohë.
Nëse doni një shembull të afërt, mjafton të ndizni celularin tuaj, dhe ai do të jetë në gjendje që t’ju njohë. Pra të shohë fytyrën tuaj, dhe të zhbllokojë funksionet e tij vetëm nëse jeni vërtet ju. Megjithatë, gjatë kryerjes së këtij funksioni (thuajse të pagabueshëm), a ju ka parë vërtetë telefoni celular?
Duket se nuk është kështu. Telefoni celular përzgjedh një funksion, njohjen tuaj, por ai nuk është një person, një subjekt i vetëdijshëm që ju sheh. Telefoni celular ju njeh, por nuk ju sheh. Në mënyrë të ngjashme, të gjithë robotët dhe algoritmet, që premtojnë të njohin gjuhën natyrore dhe zërin tonë, e bëjnë punën e tyre gjithnjë e më shumë si njerëzit.
Raste të famshme të tilla si GPT-3 apo Replika prodhojnë tekste, të cilat do t’i kishin zili shumë të rinj të diplomuar, por ato nuk e dinë kuptimin e fjalëve që përpunojnë. Këta robotë përpunojnë fjalë për të prodhuar përgjigje që i ngjajnë përgjigjeve të një qenie njerëzore në të gjitha aspektet, por nuk e dinë se çfarë kuptimi kanë ato.
Për të kuptuar saktësisht situatën e një inteligjence artificiale dhe marrëdhënien e saj (apo mungesën e marrëdhënies) me kuptimin, mund të shohim një analogji të thjeshtë me të verbrit që nga lindja që flasin për ngjyrat. Imagjinoni sikur të mos keni parë kurrë ndonjëherë ngjyra:ju jeni një person i verbër.
Megjithatë keni jetuar gjithmonë në një komunitet që ka parë, dhe ju e dini që objektet kanë një veti “misterioze” që të gjithë i quajnë ngjyra. Po ashtu ju i njihni marrëdhëniet midis ngjyrave (për shembull e dini që e kuqja dhe jeshilja janë shumë të ndryshme nga njëra -tjetra, ndërsa e kuqja dhe roza janë disi të përafërta).
Në këtë mënyrë ju jeni në gjendje të flisni në mënyrën e duhur mbi ngjyrat, por ju nuk e dini se cila është përvoja e të parit të tyre. Bëhet fjalë për një eksperiment të famshëm mbi mendimit që u krye nga filozofi amerikan Frenk Xhekson në vitet 1980. Pra Inteligjenca Artificiale është pak si ai i verbri që në lindje, që flet për ngjyrat.
Vetëm se ai nuk është vetëm i verbër që nga lindja, por ajo është gjithashtu i shurdhër, nuk ka ndjesinë e prekjes, nuk ka shijuar apo nuhatur kurrë. Kjo është situata në të cilën ndodhet në këtë moment Inteligjenca Artificiale. Falë celularëve tanë, ajo merr miliarda informacione çdo sekondë, por ky informacion është i pakuptimtë, pasi fjala “e kuqe” nuk ka asnjë kuptim për një person të lindur të verbër.
Nuk ka dyshim se kjo gjendje e AI nuk është vetëm një problem filozofik, por ai ka pasoja të mëdha praktike, të cilat ne mund t’i përmbledhim në fjalën “Faleni pasi nuk e di se çfarë po bën!”. Përpunimi i gjuhës natyrale, mbështet biznesin e Google dhe Facebook (dhe së fundmi edhe të Microsoft që bleu OpenAI).
Dy studiues të Google, Timnit Gebru dhe Margaret Miçëll, u pushuan nga puna sepse botuan një artikull që vinte në dyshim rreziqet e krijimit të Inteligjencës Artificiale, pa një kuptim të vërtetë të informacionit që përpunon ajo: Si mund të jemi të sigurt kur makinat marrin vendime mbi njerëzit, kur ato nuk e përjetojnë botën si ne? Si mund të merren vendime për qeniet njerëzore, nëse nuk jeni vetë njerëz?
Artikulli nga Gebru dhe Miçëell ka një titull shumë domethënës “Rreziqet nga papagallët stokastikë”. Papagajtë stokastikë, nuk janë asgjë më shumë sesa Inteligjenca Artificiale që prodhojnë gjuhë natyrale pa e ditur kuptimin e saj.
Ashtu si kalorësi inekzistent i Kalvinit, që ishte një armaturë e mrekullueshme që mposhtte çdo qenie tjetër njerëzore, por që brenda nuk kishte asgjë brenda përveç zbrazëtisë. Edhe sot Inteligjenca Artificiale është një guackë që përmban funksione gjithnjë e më të sofistikuara, por që nga brenda nuk ka asgjë tjetër.
Ne njerëzit funksionojmë (ndonjëherë edhe jo mirë), por mbi të gjitha ne ekzistojmë dhe perceptojmë. Inteligjenca Artificiale nuk e realizon dot ende këtë. Ajo dëgjon por nuk kupton, flet por nuk di të artikulojë vetë, sheh por jo si ne njerëzit. / “Linkiesta” – Bota.al