Intel planifikon të investojë deri në 80 miliardë euro (89 miliardë dollarë) gjatë dekadës së ardhshme për të ndërtuar zinxhirin e furnizimit të Evropës për çipat gjysmëpërçues.
Gjiganti i teknologjisë tha të martën se fillimisht do të investojë 17 miliardë euro (19 miliardë dollarë) për të ndërtuar dy fabrika të reja të çipave në Gjermani. Ndërtimi në kantierin në qytetin verilindor të Magdeburgut – të cilin do ta emërojë “Silicon Junction” – pritet të fillojë vitin e ardhshëm, kurse veprimtarinë pritet ta fillojë në vitin 2027.
“Kjo iniciativë e gjerë do të nxisë inovacionin e Evropës për Kërkim dhe Zhvillim dhe do të sjellë prodhim të avancuar në rajon”, tha CEO i Intel, Pat Gelsinger në një deklaratë për shtyp.
Kompania planifikon të investojë në çdo pjesë të zinxhirit të furnizimit të çipave – duke përfshirë kërkimin, prodhimin dhe paketimin. Gjithashtu pritet të investojë edhe në Francë, Irlandë, Itali, Poloni dhe Spanjë.
Me valën fillestare të investimeve prej më shumë se 33 miliardë euro (36 miliardë dollarë), Intel pret të krijojë rreth 5 mijë e 500 vende pune në kompani, plus mijëra të tjera në ndërtim dhe në furnitorë dhe partnerë./UBTNews/