Kushtet e mjerueshme të jetesës, perspektiva të zymta në shkollë dhe në punë: situata e komuniteteve rome në Evropë nuk është përmirësuar pavarësisht nga objektivat e BE për të lehtësuar integrimin e tyre, tha të martën një raport nga agjencia e të drejtave të bllokut.
Në të gjithë Evropën, romët vazhdojnë të “përballen me nivele tronditëse të privimit, margjinalizimit dhe diskriminimit”m tha Michael O’Flaherty, drejtor i Agjencisë së BE-së për të Drejtat Themelore (FRA) me qendër në Vjenë.
Politikëbërësit duhet të “përqendrojnë burimet dhe përpjekjet në adresimin e gjendjes së patolerueshme”, shtoi ai në një deklaratë për shtyp.
Raporti i FRA, i cili bazohet në afro 8,500 intervista me romët në dhjetë vende evropiane, thotë se përparimi në përfshirjen e romëve ka qenë “shumë i vogël dhe shumë i ngadaltë” që nga sondazhi i fundit gjashtë vjet më parë.
Sipas gjetjeve, 80 përqind e romëve “mbeten ende në rrezik të varfërisë”, krahasuar me një mesatare të BE-së prej 17 përqind. Kjo shifër ka mbetur e pandryshuar që nga studimi i vitit 2016.
Shifrat për arsimin janë befasuese: 71 përqind e të rinjve romë të moshës 18-24 vjeç largohen herët nga sistemi arsimor, krahasuar me vetëm 10 përqind të atyre në popullsinë e përgjithshme në BE.
Përafërsisht 43 përqind e romëve të anketuar ishin në punë me pagesë, shumë më poshtë mesatares evropiane prej 72 përqind për vitin 2020.
Studimi zbuloi gjithashtu se gratë rome kanë një jetëgjatësi prej 71 vjetësh dhe burrat 67 vjet, krahasuar me 82 dhe 76 vjet respektivisht për popullsinë e BE-së në tërësi./UBTNews/