Një grup i studentëve dhe profesorëve të Fakultetit të Arkitekturës dhe Planfikimit Hapësinor në UBT, kanë mirëpritur këtë javë për një vizitë studimore Universitetin e Shkencave të Aplikuara “Technische Hochschule Lübeck” të Gjermanisë.
Në kuadër të projektit me temën “Integrimi i lumit në hapësira publike”, do të përfshihen 22 studentë dhe 4 profesorë nga Gjermania, nën drejtimin e koordinatorit Michael Locher, profesorëve Klaus Brendle, Kendra Busche dhe Heiner Lippe. Nga UBT, koordinator do të jetë Lulzim Beqiri, përkrah profesorëve të tjerë si Bekim Çeko, Arber Sadiki, Kujtim Elezi dhe Elvida Pallaska, së bashku me 8 studentë. Ky projekt ofron një mundësi të shkëlqyer për bashkëpunim dhe shkëmbim të ideve, duke e theksuar rëndësinë e integrimit të mjedisit natyror me hapësirat publike.
Në një seri ligjëratash dhe aktivitetesh edukative që fokusohen në fushën e arkitekturës dhe urbanizmit, të gjithë pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të ndajnë ekspertizën e tyre profesionale në fushën përkatëse.
Duke krijuar një mundësi të shkëlqyer për shkëmbim kulturor dhe akademik, grupi do të qëndrojë në Kosovë për një javë, ku do të zhvillohen ligjërata dhe aktivitete të tjera edukative që lidhen me integrimin e lumit në hapësira publike kryesisht në Prishtinë.
Ky projekt padyshim iu ofron studentëve mundësinë të paraqesin ide inovative dhe të merren me sfidat reale që përballen qytetet moderne në këtë periudhë, veçanërisht në lidhje me përdorimin e qëndrueshëm të hapësirave publike. Megjithatë, ky organizim është një pjesë kyçe e përpjekjeve të UBT-së për të promovuar studimet mbi planifikimin urban dhe zhvillimin e qëndrueshëm.
Pas përfundimit të vizitës në Kosovë, studentët dhe profesorët do të udhëtojnë në universitetin Technische Hochschule Lübeck në javën e dytë të dhjetorit të këtij viti, iniciativë kjo që nuk është vetëm një mundësi për shkëmbim akademik, por edhe një shembull i fuqishëm i lidhjeve ndërkombëtare që UBT-ja po krijon për të ndihmuar në rritjen dhe zhvillimin profesional të studentëve.
Përmes këtij bashkëpuninimi UBT, po shfaq çdo herë e më shumë përkushtimin e saj si një lider i vetëm në edukim dhe inovacion në Kosovë, që është duke kontribuar dhe vazhdon të punojë edhe në avancimin e praktikave të qëndrueshme dhe të planifikimit urbanistik./UBTNews/D.B/