Një dekadë e gjysmë nga fillimi i decentralizimit, integrimi i komunave me shumicë serbe në veri mbetet ende sfidë për Kosovën. Në konferencën e Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) të hënën u theksua se decentralizimi ka mbetur i pa përmbyllur plotësisht, rrjedhimisht edhe janë ngadalësuar projeksionet e reja për qeverisjen lokale.
Drejtori i KLGI, Valmir Gashi tha se niveli lokal duhet të ketë zbatim më të madh të akteteve ligjore dhe nënligjore të pushtetit qendror. Ai shtoi se asambletë komunale duhet të ketë nivel më të lartë të mbikëqyrjes së pushtetit lokal.
“Edhe pse decentralizimi kishte në bosht akomodimin e komuniteteve, sfida më e madhe mbetet ende integrimi i komunave me shumicë serbe në veri. Pra, për këtë mund të themi se decentralizmi ka mbetur i pa përmbyllur plotësisht, rrjedhimisht janë ngadalësuar edhe projeksionet e reja për qeverisjen lokale. Si shtet dhe shoqëri ne duhet të vendosim gjithë energjinë për të gjetur zgjidhjet më të mira, përfshirë instrumentet lehtësuese në procesin e integrimit. Këtu na duhet domosdoshmëritë përkrahja e partnerëve për të mbyllur një kapitull dhe nisur një agjendë të re në komuna, atë të zhvillimit të qëndrueshëm dhe integrimit evropian”, tha ai.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishte edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili tha se qeverisja lokale është avancuar në drejtim të krijimit të standardeve të mira. Ai përmendi edhe iniciativat ligjore që i kanë ndërmarrë që të konsolidojnë nivelin lokal.
“Qeverisja lokale ndër vite ka ndryshuar dhe është avancuar në drejtim të krijimit të standardeve dhe gatishmërisë së komunave për të marrë përgjegjësitë politike të pushtetit lokal. Gjatë periudhës së konsolidimit të pushtetit lokal janë dhënë shembuj të mirë të implementimit të konceptit të decentralizimit, duke promovuar ofrimin e shërbimeve efikase për qytetarët konform parimeve themelore të vetëqeverisjes lokale. Në këtë proces MAPL ka qenë akterë kryesorë si para ashtu edhe pas konsolidimit të shtetit duke ndihmuar në ndërtimin e një sistemit të qëndrueshëm të pushtetit lokal… Në dy vitet e fundit kemi rritur avancimin e kornizës ligjore, dy projektligje shumë të rëndësishme janë sponsorizuar nga MAPL”, theksoi Krasniqi.
Ndërkaq, ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grondahl u shpreh se decentralizimi është proces vital për qeverisjen lokale.
“Decentralizmi është vital si proces për të siguruar funksionalitetin e mirë të sistemeve të qeverisjes lokale dhe duke i marrë të gjitha praktikat e mundshme të qeverisë lokale. Duhet t’i fuqizojmë komunat dhe t’iu dërgojmë atyre një shërbim publik sa më efekt. Çështje kritike në këtë moment është të rrisim nivelin e bashkëpunimit ose qasjes së qytetarëve. Komunat duhet të përfshijnë qytetarët në planifikimin dhe implementimin e projekteve të ndryshme zhvillimore komunale”, deklaroi ambasadori norvegjez.
Decentralizimi i komunave në Kosovë ka nisur në vitin 2005.