Instituti i Ballkanologjisë në UBT, në bashkëpunim me Albanian Institute of Cultural Studies, organizoi dhe përfundoi me sukses një workshop dyditor me temë “Memoria kolektive: Burgu i idealit”.
Aktiviteti u zhvillua në ambientet e kampusit të UBT-së në Prishtinë dhe ishte i dedikuar për studentët e universiteteve të ndryshme, duke krijuar një platformë për dialog dhe reflektim mbi historinë dhe kujtesën kolektive.
Të ftuarit specialë të këtij workshop-i ishin Emin Sallahu dhe Marti Çuni, të cilët ndanë me studentët përvojat e tyre si ish të burgosur në kohën kur idealet dhe liria e fjalës përballeshin me kufizime dhe represion. Përmes rrëfimeve të tyre personale, ata trajtuan sfidat, perspektivat dhe sakrificat e atyre që kanë përjetuar burgimin për bindjet dhe idealet e tyre. Diskutimet me të ftuarit nxorën në pah rëndësinë e ruajtjes së kujtesës kolektive si një mjet për të mësuar nga e kaluara dhe për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë.
Ky workshop kishte për qëllim të ndërgjegjësojë studentët mbi rëndësinë e kujtesës kolektive në formësimin e identitetit kombëtar dhe shoqëror. Diskutimet dhe prezantimet u fokusuan në trajtimin e temave si: Roli i kujtesës historike në edukimin e brezave të rinj, përballja me të kaluarën përmes dialogut të hapur dhe reflektimit kritik dhe ndërtimi i një kulture që respekton lirinë dhe të drejtat themelore.
Studentët pjesëmarrës u angazhuan në diskutime aktive, ndanë pikëpamjet e tyre dhe u përfshinë në sesione interaktive, duke përfituar një pasqyrë më të thellë mbi historinë dhe rëndësinë e ruajtjes së saj për të ardhmen.
Workshop-i ishte një shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ndëruniversitar, ku institucionet akademike nga Prishtina, Tirana dhe Tetova u bënë bashkë për të krijuar një hapësirë reflektimi dhe edukimi për studentët e tyre. Kjo iniciativë është një tjetër hap drejt promovimit të dialogut akademik dhe ndarjes së eksperiencave midis universiteteve shqiptare.
Workshop-i u përmbyll me një diskutim të hapur mes studentëve dhe të ftuarve, ku u reflektua mbi rëndësinë e mësimeve të nxjerra nga e kaluara dhe nevojën për të ruajtur kujtesën si një vlerë thelbësore për zhvillimin shoqëror. Ky aktivitet i suksesshëm shënon një hap tjetër të rëndësishëm në misionin e Institutit të Ballkanologjisë të UBT-së për të edukuar dhe ndërgjegjësuar brezat e rinj mbi çështjet me rëndësi të veçantë për shoqërinë tonë./UBTNews/d.e