Instituti Albanologjik i Prishtinës ka mbajtur të martën mbledhje komemorative në nderim të shkrimtarit, Ismail Kadare, i cili vdiq të hënën.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij Instituti, Lulezim Lajqi, ka thënë se me vdekjen e shkrimtarit të madh shqiptar Kadare nuk ka humbur vetëm letërsia shqiptare por edhe letërsia botërore.
“Ikja në nga kjo botë e Ismail Kadaresë nuk është vetëm humbje e madhe vetëm për letërsinë shqiptare por edhe për letërsinë botërore. Veprat e tija janë botuar në 45 gjuhë botërore, kështu Kadare e vendosi atdheun e tij të izoluar Ballkanik në hartën e letërsisë botërore. Kadare morri edhe çmime të shumta globale”, ka thënë ai.
Profesor Emin Kabashi, ka thënë se vdekja e tij i jep shpresë jetës dhe sipas tij, ky shekull është shekulli i Kadaresë.
“Një vdekje që i jep shpresë jetës. Ismail Kadare bëri dy profeci, paralajmëroi kthimin e dinjitetit të një letërsie dhe të kulturës shqiptare dhe paralajmëroi që ky shekull është shekulli i tij. Mund të thuhet lirisht se ky shekull është shekulli i Ismal Kadares për kulturën dhe artin shqiptar dhe botëror”, ka thënë ai.
Profesor Arben Hoxha, tha se vdekja e shkrimtarit Kadare e ka tronditur ndjenjën njerëzore për humbjen e një jete që la gjurmë të thella pas vete në jetën e ndërgjegjes kulturore.
“Dhembja për ikjen fizike të shkrimtarit ton Ismail Kadare sot e ka tronditur ndjenjën tonë njerëzore për humbjen e një jete që la gjurmë të thella pas vete në jetën e ndërgjegjes sonë kulturore. Shkrimtarët e mëdhenj janë luftëtaret dhe negociuesit me të dinjitetshëm me metafiziken e ekzistencës sonë, ata negociojnë e përplasë me të kufijshmen për të pakufishmen, për të përhershmen e ekzistencës se qenies njerëzore”, ka thënë ai.