Rrjeti social Instagram po shtrëngon më tej cilësimet për llogaritë e adoleshentëve, duke vendosur kufizime të reja mbi përmbajtjen që fëmijët mund të shohin në platformë.
Kompania mëmë, Meta, kishte prezantuar për herë të parë llogaritë e dedikuara për adoleshentë një vit më parë, kur nisi t’i kalonte automatikisht përdoruesit e mitur në llogari më “të mbyllura”, me cilësime më të forta privatësie dhe kontrolle prindërore.
Kohët e fundit, Meta e ka zgjeruar këtë qasje edhe në Facebook dhe Messenger, duke përdorur mjete të inteligjencës artificiale për të identifikuar adoleshentët që mund të kenë falsifikuar moshën e tyre.
Tani, kompania po ndërmerr hap të ri në mbrojtjen e të rinjve online. Me ndryshimet e fundit, adoleshentët nuk do të mund të ndjekin apo të shohin përmbajtje nga persona që “publikojnë rregullisht materiale të papërshtatshme për moshën”.
Përveç kësaj, këto llogari do të hiqen nga rekomandimet dhe rezultatet e kërkimit për përdoruesit adoleshentë.
Instagram do të bllokojë një gamë më të gjerë termash të ndaluar, që lidhen me temat për të rritur, përfshirë fjalë si “alkool”, “gjakderdhje” dhe madje edhe versionet me gabime drejtshkrimore, që përdoren shpesh për të anashkaluar filtrat e platformës.
Për prindërit që kërkojnë masa më të rrepta, kompania po shton një cilësim të ri “përmbajtje e kufizuar”, i cili pritet të filtrojë edhe më shumë përmbajtje të ndjeshme — megjithëse Meta ende nuk ka dhënë detaje të plota për funksionimin e tij.
Këto masa vijnë si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme të Instagramit për të krijuar një mjedis më të sigurt për të rinjtë, duke balancuar privatësinë, kontrollin prindëror dhe lirinë e shprehjes në rrjetet sociale. /A.Z/UBT News/