UBT News

Inspektorët komunalë kërkojnë paga shtesë

Nën organizimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, Kolegjiumi për Inspeksion diskutoi sfidat në fushën e inspektimit dhe problematikat aktuale në luftimin e COVID-19.

Në lidhje me angazhimin e rregullt të inspektorëve, Kolegjiumi për Inspekcion shpreh shqetësimin e tyre për mospërfshirjen e inspektorëve lokal në pakon emergjente, e gjithë kjo duke pasur parasysh edhe nevojën për angazhimin më të madh të tyre në këtë kohë pandemie, në përballje me rrezikun gjatë zbatimit të aktiviteteve të tyre të përditshme.

Sipas njoftimit nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, i gjithë ky shqetësim rrjedh si pasojë e premtimeve të mëhershme për pagat shtesë të inspektorëve komunalë, gjatë menaxhimit të pandemisë si dhe angazhimit shtesë të inspektorëve dhe ekipeve kujdestare.

Kolegjiumi konsideron se një padrejtësi e tillë duhet të korrigjohet dhe shtesat të kompensohen si pjesë e angazhimit në Inspektime të përbashkëta në mes Inspektorëve Komunalë, Inspektorëve të AVUK, Inspektorëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe Policisë së Kosovës në respektim të plotë të vendimeve të Qeverisë për luftimin e pandemisë Covid-19.

“Po ashtu njëra ndër kërkesat e adresuara ishte edhe koordinimi sa më i mirë në mes të gjitha institucioneve të cilat janë bartëse për inspektim të masave Anti-Covid19. Drejtorët edhe një herë ngritën një numër të konsiderueshëm të vështirësive me të cilat ballafaqohen së fundi, e të cilat në pjesën më të madhe kanë të bëjnë me vështirësi në koordinim me mekanizmat e tjerë sikurse është Agjensioni i Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës (AVUK). Andaj funksionalizimi i ‘Trupës Koordinuese për Inspektim’ duhet të jetë prioritet në funksion të koordinimit të aktiviteteve mes nivelit qendror dhe nivelit komunal në zbatim të masave të Qeverisë së Kosovës në betejën e përbashkët institucional anti – Covid-19”, thuhet në njoftimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Kolegjiumi për Inspeksion do të adresojë kërkesat e saj Qeverisë së Kosovës përmes kanaleve të Asociacionit të Komunave të Kosovës, dhe është e gatshme për bashkëpunim dhe koordinim sa më të mirë në mes të gjitha institucioneve të cilat janë bartëse në inspektim të masave AntiCOVID./UBTNews

Exit mobile version