Inspektorët komunalë përmes një letre i janë drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për realizimin e kërkesave të tyre.
Ndër kërkesat e tyre janë nivelizimi i pagave, shtesa në kohë pandemie dhe shtesa në rrezikshmëri. Ata kanë kërkuar nga shefi i Qeverisë që deri në fund të muajit prill t’u ofrojë zgjidhje, në të kundërtën paralajmërojnë grevë dhe bojkot të punës.
“I nderuar kryeministër, trajtimi i këtyre kërkesave paraqet nevojë imediate për faktin se inspektorët komunalë kanë rol të rëndësishëm në funksionim të sistemit kushtetues-ligjor mbajtje të rendit dhe në mbrojtje të interesit publik. Mohimi i këtij roli dhe anashkalimi në mbështetje nga qeveritë e kaluara, përjashtim përkrahja nga ju përmes shtesave nga vendimi i qeverisë tuaj i vitit të kaluar, paraqesin fyerje të vetë institucionit dhe minim të rezultateve të realizuara. I nderuar kryeministër, ngritja dhe përkrahja e inspektorëve komunalë nënkupton ngritje të shërbimeve, forcim të rendit ligjor, mbrojtje të shëndetit publik (që nënkupton mbikëqyrje të operatorëve të cilët ofrojnë shërbime publike dhe të tjera, përfshirë edhe luftimin e pandemisë COVID-19), mbrojtja dhe ngritja e nivelit të cilësisë së ushqimit, luftim të ekonomisë joformale, mbrojtje të të drejtave të konsumatorit, sigurinë e produkteve në treg, parandalimin e ndërtimeve pa leje, ndërtimeve të parregullta, mbikëqyrjen e objekteve në ndërtim (që nënkupton sigurinë e tyre), rrënimin e objekteve, ngritje të shërbimeve komunale, mbrojtje të rendit dhe rregullit komunal, mbikëqyrje të operatorëve që ofron shërbime qytetare etj”, thuhet mes tjerash në letrën drejtuar Kurtit./UBTNews