UBT News

Inspektorati: Ndotja akustike në kryeqytet në vlerat e lejuara

Inspektorati i komunës së Prishtinës ka njoftuar se falë instalimit të sistemit të avancuar të senzorëve dhe regjistrimit automatik të decibelëve, në vitin 2024 kanë rënë për diku rreth 80% ankesat e qytetarëve. Për më shumë, gjoba gjatë këtij viti janë shqiptuar vetëm për tejkalim të orarit të punës dhe jo për tejkalim të decibelëve të lejuar, e që është një indikacion i qartë i vetëdijesimit të lokaleve të gastronomisë.

Inspektorati thotë se mbrëmë kanë qarkulluar disa informata tendencioze mbi kinse tejkalimin e decibelëve të lejuar, duke sugjeruar se në disa lokale zhurma ka arritur edhe deri në 90 decibel, por në serverët e kryeqytetit, të vendosur në Drejtorinë e Inspektoratit, nuk është regjistruar asnjë tejkalim i tillë, madje-madje në shumicën e lokaleve as lartësia prej 50 decibelëve nuk është arritur në asnjë moment.

“I sigurojmë qytetarët e Kryeqytetit se inspektorët e Kryeqytetit, së bashku me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, janë në vazhdimësi në terren, se serverët janë plotësisht funksional dhe monitorohen gjatë gjithë kohës dhe se tejkalimi i zhurmës së lejuar nuk do të tolerohet nga askush, në veçanti pasi që regjistrimet e tilla janë automatike”, thuhet në reagim.

Exit mobile version