UBT News

​Inspektorati i MINT-it mbyll tri biznese e konfiskon mallra të falsifikuara

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut po zhvillon sot një aksion të përbashkët me Doganën dhe Policinë e Kosovës në tri regjione (Prishtinë, Prizren dhe Gjakovë) me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve nga mashtrimi dhe falsifikimi. MINT njofton se gjatë këtij aksioni janë mbyllur tri biznese.

Në komunikatë thuhet se gjatë këtyre inspektimeve të përbashkëta janë evidentuar mallra të ndryshme për të cilat pronarët e subjekteve ekonomike nuk kanë prezantuar dokumente të prejardhjes, e të cilat janë sekuestruar.

“Sasia e produkteve të konfiskuara deri më tani është mbi 800 copë (produkte të ndryshme) si dhe 350 gram metale të çmuara (argjend). Gjithashtu, janë mbyllur me masë të përkohshme nga inspektorët e tregut 3 subjekte ekonomike pasi që të njëjtat konsiderohet se nuk i’u kanë mundësuar inspektorëve të kryejnë punën e tyre zyrtare”, thuhet në komunikatë.

MINT thotë se mbetet e përkushtuar në luftimin e informalitetit në të gjithë sektorët e tregtisë me mallra dhe shërbime, të mbrojë të drejtat e konsumatorëve, të eliminojë praktikat e padrejta tregtare si dhe të garantojë ligjshmërinë e qarkullimit të mallrave dhe shërbimeve në treg.

“Aksioni po vazhdon akoma në Regjionin e Prizrenit dhe Gjakovës”, thuhet në njoftim.

Exit mobile version