Inspektorati i Arsimit ka kërkuar nga Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” që të anulojë vendimin për ritestim të kandidatëve të doktoratës të Fakultetit Ekonomik dhe Mjekësisë.
“Senati i Universitetit të Prishtinës të anulojë rekomandim-udhëzuesin dhe të njoftohen kandidatët për anulimin e mbajtjes së provimit, menjëherë”, thuhet në shkresën e siguruar nga KALLXO.com.
Tutje, Inspektorati ka kërkuar nga Këshilli Qendror i Doktoratës të rishqyrtojë dhe të vendos për kandidatët, duke pasur konsideratë edhe kandidatët që i janë nënshtruar provimit pranues dhe i kanë plotësuar kriteret e regjistrimit dhe nuk janë pranuar për shkak të mungesës së biografisë.
Inspektorati po ashtu ka kërkuar nga organet kompetente të UP-së edhe të ndërmarrin masa ndaj komisioneve të Ankesave.
“Të merren masa ndaj anëtarëve të komisionit të ankesave të Fakultetit, të cilët nuk kanë vepruar për procedurën e Përgjithshme Administrative dhe komisionit të Ankesave të Rektoratit, të cilët nuk kanë pranuar dhe shqyrtuar ankesat e parashtruara nga kandidatët aplikantë”, thuhet më tej.
KALLXO.com po ashtu ka marrë vesh nga burimet se për këtë shkresë të Inspektoratit të Arsimit, senati i Universitetit të Prishtinës do të mbajë mbledhje sot.