Inspektorati Policor i Kosovës dhe Inspektorati i Përgjithshëm i Forcave të Sigurisë të Republikës Çeke kanë nënshkruar memorandum për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se marrëveshjen e kanë nënshkruar dy udhëheqësit e institucioneve homologe, Kushtrim Hodaj dhe Radim Dragoun.
“Në kuadër të këtij takimi ku pjesëmarrës ishte edhe Zëvendës Ambasadori i Republikës Çeke në Kosovë, Juraj Melioris, dy udhëheqësit e institucioneve homologe nga Republika e Kosovës dhe Republika Çeke nënshkruan Memorandumin për forcimin e bashkëpunimit në fushën e kontrollit të brendshëm. Memorandumi parasheh përveç tjerash angazhimet e agjencive homologe për të rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimin e informacionit e përvojës në fushën e parandalimit, zbulimit dhe hetimit të veprave penale, në veçanti, korrupsionit dhe veprave të lidhura me korrupsionin, si dhe në fushën e testeve të integritetit”, thuhet aty.
Bëhet e ditur se në kuadër të këtij memorandumi parashihet edhe organizimi i aktiviteteve të përbashkëta trajnuese, shkëmbimin e ekspertëve dhe specialistëve, organizimin e takimeve të punës dhe ngjarjeve të tjera (si konferenca dhe seminare) si dhe shkëmbimin e informacionit dhe njohurive me anë të mjeteve të komunikimit të pranuara reciprokisht.
Gjatë takimit, delegacioni çek mori informacione shtesë nga zyrtarët e IPK-së edhe për rolin dhe misionin ligjor të Inspektoratit Policor të Kosovës dhe angazhimet ndër vite.