Në kuadër të zbatimit të masave antiCOVID dhe zbatimit të vendimeve të Ministrisë së Shëndetësisë për kategorizimin e komunave sipas nivelit të rrezikshmërinë së përhapjes së koronavirusit, inspektorati komunal në Malishevë, së bashku me shtabin komunal emergjent dhe Policia e Kosovës, në vazhdimësi po e mbikëqyrin zbatimin e masave dhe vendimeve, sidomos nga subjektet afariste për zbatimin e orarit të punës.
Aksion i tillë ka qenë edhe gjatë natës së mbrëmshme, ku pas orës 18:00, inspektorati komunal në Malishevë, së bashku edhe me shtabin komunal emergjent, i ka vizituar subjektet afariste, në shumicën e territorit të Komunës së Malishevës, për të inspektuar zbatimin e masave dhe vendimeve.
Sipas drejtorit në Drejtorinë e Inspektoratit, Dibran Kastrati, shumica dërmuese e subjekteve afariste janë duke i zbatuar vendimet dhe të gjitha subjektet afariste mbyllen sipas orarit të përcaktuar.
“Ka ndonjë përjashtim kur mund të ketë vonesa të arsyeshme për ndalimin e punës në ora 18:00, por ka mirëkuptim dhe pronarët janë të vetëdijesuar për zbatimin e këtij orari”, ka thënë Kastrati.
Inspektorati në Komunën e Malishevës iu ka bërë me dije të gjitha subjekteve se orari duhet të respektohet dhe se këto masa janë obligative për të gjithë pa përjashtim./UBTNews