Dy ministrat Xhelal Sveçla e Elbert Krasniqi, së bashku me zëvendësministrin Hysen Durmishi, kanë kryer sot inspektimin dhe nisjen e testimet për stabilitetin infrastrukturor të Urës së Ibrit. Qeveria e Kosovës ka planifikuar hapjen e urës për qarkullim së shpejti, dhe ky inspektim përqendrohet në vlerësimin e gatishmërisë së saj për këtë hapje.
Ministrat e Punëve të Brendshme, Administratës Lokale dhe zëv/ministri i Infrastrukturës po monitorojnë personalisht procesin e testimeve, duke u siguruar për integritetin dhe sigurinë e strukturës së urës.
Diskutimet për hapjen e Urës së Ibrit janë intensifikuar në muajt e fundit, sidomos pas thirrjeve për hapjen e saj tërësisht për qarkullim nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, i udhëhequr nga Erden Atiq nga Lëvizja Vetëvendosje.
Qeveria e Kosovës ka zhvilluar konsultime të ngushta me partnerët ndërkombëtarë për rivitalizimin e urës dhe ka paraqitur një plan për këtë, megjithatë, plani është kundërshtuar nga shtetet e QUINT-it dhe NATO-ja.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka bërë të ditur se vendet e QUINT-it dhe NATO-ja nuk e mbështesin hapjen e Urës së Ibrit, duke refuzuar planin e propozuar nga Qeveria e Kosovës./UBTNews/