Komisioni për Legjislacion ka shqyrtuar Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Kosovës për vitin 2024, mirëpo gjatë diskutimit në Komision, opozita ka adresuar kritika karshi pozitës për mos ftesën e organizatave buxhetore për të diskutuar lidhur me ndarjen e buxhetit, për çka edhe ka lëshuar sallën para procesit të votimit.
Ndërsa nga pozita këtë e arsyetuan duke thënë se për shkak se ka pasur rritje për secilin institucion, nuk kanë ftuar.
Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, ka akuzuar mazhorancën për sjellje arrogante që po bëjnë ndaj opozitës. Sipas saj, mos ftesa e institucioneve përkatëse është një përpjekje e radhës e kësaj qeverisje për t’i ikur llogaridhënës dhe transparencës.
“Arbitrariteti me të cilin po udhëhiqni mbledhjen nuk ju bënë nder si kryetar i komisionit. Këtë e kemi parë, këtë arrogancën që shpërfaqni kudo të numrave po e shohim çdo ditë, kjo nuk ju bënë nder, aq më tepër kur flasim për çështjen e buxhetit, dhe për organizata buxhetore ose për institucione që mbikëqyrë Komisioni për Legjislacion. Në të kaluarën praktikat kanë qenë ashtu siç kanë qenë, janë ftuar institucionet për të diskutuar rreth buxhetit, rreth kërkesave që kanë. Mendoj se është një përpjekje e radhës për t’i ikur llogaridhënies dhe transparencës, që kryekëput e ka karakterizuar këtë qeverisje. Nuk mundeni të fshiheni prej kërkesave që kanë institucionet duke ju thanë që na dërgoni me letër, sepse opinioni publik dhe ne kanë të drejtat e informimit se cilat janë kërkesat e institucioneve, siç është Këshilli që sot e kemi pritur në raportim. Ndërsa, nëse keni marrë vendim që mos t’i ftoni, ka qenë minimumi i korrektësisë politike që t’i informoni deputetët që ata nuk do jenë sot në takim. Konsideroj se pak më shumë korrektësi në qasjen e juaj ndaj opozitës por edhe llogaridhënien për qytetarëve do të ishte mirë”, tha Deliu.
Për këtë, kryetari i këtij komisioni, Adnan Rrustemi derisa ka arsyetuar mos ftesën e institucioneve, tha se nuk karakterizohet nga arbitrariteti dhe është i hapur për diskutim. Ai tha se kanë kërkuar nga institucionet që të sjellin kërkesat dhe propozimet e tyre me shkrim.
“Unë asnjëherë nuk karakterizona nga arbitrariteti, jam i hapur për diskutime maksimalisht, mirëkuptoj këto zonat kur opozita dhe politika tenton t’i jep kaheje tjetër në kontekste të shkurta. Mirë është të ruhet atmosferën dhe këtë karakterin e komisionit. Nuk kemi ftuar institucionet për shkak të një dinamike që ka qenë këtë javë dhe për shkak se ka pasur rritje për secilin institucion, por nuk do e kisha problem t’i dëgjoja kërkesat”, tha Rrustemi.
Rrustemi shtoi se pothuajse gjitha institucionet kanë pësuar rritje nga ndarja e buxhetit për vitin e ardhshëm, me theks Ministria e Drejtësisë ka pësuar një rritje në total prej 11 milion euro më shumë se vitin e kaluar.
“Buxheti për Ministrinë e Drejtësisë në total ishte 35.9 milionë euro, ndërsa me ndarje buxhetore të planifikuara në Projektligjin e buxhetit për vitin 2024 MD-ja ka pësuar një rritje në total prej 11 milionë euro, d.m.th ka rritje buxheti vjetor në krahasim me vitin e kaluar. Për KGJK-në është planifikuar të jetë 35.8 milionë euro, ka pësuar një rritje totale prej 1.6 milionë euro, krahasuar me rishikimin e buxhetit për vitin 2023, për vitin 2024 buxheti i KPK-së është 17.2 milionë dhe ka pësuar një rritje prej 1.3 milionë apo 8 për qind krahasuar me vitin e kaluar, buxheti i APK-së është 965 mijë euro dhe ka pësuar një rritje 407 mijë euro apo 73.1 për qind, Agjencia për Krahasim dhe Verifikim të Pronës ka rritje prej 1.5 për qind dhe KQZ ka një rritje prej 3.4 milionë euro apo 54 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Gjitha këto institucionet ka ngritje të buxhetit përveç në Akademinë e Drejtësisë ku me ndarjet buxhetore të planifikuar për vitin 2024 është planifikuar të jetë 863 mijë euro dhe ka një ulje prej 29 mijë euro krahasuar me buxhetin e vitit 2023”, tha Rrustemi.
Ndërkaq, deputeti nga AAK, Besnik Tahiri ka ritheksuar se ky buxhet përbën një diskriminim të skajshëm politik dhe një denigrim të disa komunave. Ndërsa, i njëjti ka mbështetur kërkesën e PDK-së të ftohen institucionet për raportim.
“Buxheti është konsideruar që i prek dy elemente problematike ligjore, e para bënë një diskriminim të skajshëm politik dhe një denigrim të disa komunave dhe rrjedhimisht është diskutuar prej perspektives që duhet ky dokument të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese…Unë mbështes kërkesën e kolegëve për t’i ftuar organizatat buxhetore që kanë kërkuar buxhet”, tha Tahiri.
Ndërsa, deputeti nga PDK, Hajdar Beqa tha se institucionet janë ftuar të raportojnë edhe në të kaluarën në mënyrë që të këtë më shumë transparencë. Beqa shtoi se rritje ka vetëm në mallra, shërbime e mëditje dhe jo për zhvillim të institucioneve.
“Sa i përket praktikave nuk është nga viti i kaluar, janë ftuar edhe në të kaluarën…Ne e kemi parë që ka një rritje të buxhetit. është një analizë e mire, por buxheti kryesisht është rritur në mallra, shërbime, mëditje, nuk kemi buxhet të rritur për zhvillim të institucioneve, por më shumë për Ministrinë e Drejtësisë e në veçanti është rrit shërbimi korrektues që ka të bëjë më shumë me burgun t’i plotësohen kushtet e të burgosurit që vinë nga Danimarka”, tha Beqa.
Kuvendi i Kosovës ka votuar në parim projektbuxhetin për vitin e ardhshëm në vlerë 3 miliardë e 314 milionë euro.