Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka iniciuar shkarkimin e Bordit të Radio Televizionit të Kosovës dhe i është dërguar Kuvendit për miratim.
Në votim morën pjesë vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa opozita e ka quajtur vendim politik.
Kryetarja e komisionit, Doarsa Kica-Xhelili ka lexuar arsyet që janë dhënë nga komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere për shkarkimin e bordit të RTK-së, derisa tha se shihet qartë që ka shkelje të Ligjit për RTK-në nga të njëjtit.
Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku e ka quajtur vendim politik inicimin e shkarkimit të bordit të RTK-së.
“Mediumi RTK ka ngecje të mëdha pavarësisht mbështetjes që ka dhënë ky Kuvend, por të gjeturat nuk kanë qenë që të ketë një shkarkim të tillë. E shohim që ka vullnet për shkarkim, ne e dimë që ky shkarkim po bëhet për qëllime politike”, tha ai.
Edhe deputeti i LDK-së, Agim Veliu tha se një vendim i tillë është politik.
“Nuk është bërë një vlerësim meritor i bordit edhe pse ai bord ka lëshime. Ky rekomandim është politik dhe kapjes së mediumit publik. Rekomandimet e Komisionit për Buxhet dhe Transfere për mua nuk janë bindëse dhe te rekomandimi i dytë besoj unë që nuk do të duhej të jepej një rekomandim i tillë. Është tërësisht një veprim politik, ju e keni shumicën, por për mua kjo formë është e papranueshme”, tha Veliu.
Deputeti i LVV-së, Valon Ramadani tha se në televizionin publik ka abuzime të shumta, për çka tha së Prokuroria duhet të merret me këtë çështje.
“Nuk e kanë kryer punën sic duhet. Ka keqpërdorime, ka abuzime sa prokurori duhet të merret me këtë çështje. RTK ka nevojë për reformim”, tha ai.
Deputeti i LVV-së, Nijazi Isaku ka kërkuar që si komision të reagojnë në lidhje me deklaratat, siç tha ai, seksiste të zëvendësdrejtorit Mentor Shala drejtuar kryetares së këtij komisioni.