Infrastruktura kritike e Evropës është e cenueshme dhe ka nevojë për më shumë mbrojtje, sipas komisioneres së BE-së për punët e brendshme.
Duke folur për Euronews një javë pas sabotimit të supozuar të tubacioneve të gazit Nord Stream, Ylva Johansson tha se lufta në Ukrainë përbën gjithashtu një kërcënim të madh për BE-në.
Që nga viti 2008, BE-ja ka zbatuar Direktivën e Infrastrukturës Kritike dhe në fillim të këtij viti, institucionet e bllokut arritën një marrëveshje politike për rregulla të reja me një shtrirje më të gjerë.
“Ne e dimë se jemi të prekshëm dhe kjo është arsyeja pse Komisioni ka propozuar një ambicie shumë, shumë më të lartë në direktivën e re dhe gjithashtu bashkë-ligjvënësit kanë rënë dakord për këtë”, tha Johansson për Euronews.
“Pra, ne jemi më të përgatitur me legjislacionin, por është e qartë se kjo luftë dhe ky kërcënim është gjithashtu [i drejtuar] ndaj Bashkimit Evropian dhe ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë kërcënim dhe duhet të përgatitemi”.
Direktiva e përditësuar e infrastrukturës kritike do të mbulojë 11 zona me rrezik, përfshirë rreziqet natyrore, sulmet terroriste, kërcënimet e brendshme dhe sabotazhin, por edhe emergjencat e shëndetit publik si pandemia e fundit COVID-19.
Rregullat e reja do të hyjnë në fuqi në vitin 2024, por Johansson po u kërkon shteteve anëtare t’i zbatojnë ato më shpejt.
Legjislacioni do të ketë një theks të veçantë edhe në sigurinë kibernetike./UBTNews/