Vitet e fundit, influencerët e rrjeteve sociale kanë bërë disa gjëra vërtet të turpshme për të arritur një lloj fame, si p.sh. rrëzimin e qëllimshëm të avionëve ose filmimin e trupave të vdekur.
Tani, ndërsa bota po vuan nga shpyllëzimi i tepruar, disa prej këtyre influencerëve kanë filluar të vënë zjarr në pyje.
Nosheen Syed – e njohur si “Dolly” – tani po përballet me akuza për dyshimin se ka vënë një zjarr në një pyll në kodrat Margalla ndërsa xhironte një video për TikTok në kryeqytetin e Pakistanit, Islamabad.
Videoja u titullua “Zjarri shpërthen kudo që të jem” dhe u nda me 11 milionë ndjekësit e saj.
Pas incidentit, ajo u raportua në polici për shkeljen e ligjeve për mbrojtjen e kafshëve të egra dhe mjedisit.
Pakistani është aktualisht në mes të një vale ekstreme të të nxehtit e cila po ka një efekt shkatërrues në mjedisin lokal. Disa pjesë të vendit kanë arritur deri në 50 gradë celsius.
Rina Satti, kryetare e Bordit të Menaxhimit të Kafshëve të Egra të Islamabadit, tha në Twitter se videoja ishte pjesë e një “tendence shqetësuese dhe katastrofike” në TikTok. “Të rinjtë e dëshpëruar për ndjekës po i vënë flakën pyjeve tona gjatë kësaj stine të nxehtë dhe të thatë!”, ka shkruar ajo.
Në mënyrë shqetësuese, Dolly nuk është e vetmja TikToker pakistaneze që është akuzuar për djegien e pemëve, vetëm për të postuar përmbajtje në rrjete sociale. Vetëm pak javë më parë, media pakistaneze raportoi se një burrë ishte arrestuar në Abbottabad pasi i kishte vënë zjarrin qëllimisht një pjese të një pylli për të bërë një video në TikTok.
Dolly ka mohuar akuzat se ka ndezur zjarrin./UBTNews/