UBT News

Inflacioni në Kosovë arrin në 7.1 për qind në tetor, transporti shtrenjtohet më së shumti

Çmimet e konsumit në Kosovë janë rritur për 7.1 për qind në tetor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rritja më e madhe është regjistruar te transporti, me 21.5 për qind.

Shtrenjtim është vërejtur edhe te strehimi, uji, energjia elektrike, gazi dhe lëndët e tjera djegëse me 9.7 për qind, pijet alkoolike dhe duhani me 5 për qind, si dhe restorantet dhe shërbimet e akomodimit me 4.5 për qind.

Rritje të çmimeve ka pasur edhe te kujdesi personal dhe shërbimet e ndryshme me 3.7 për qind, ushqimet dhe pijet joalkoolike me 3.2 për qind, mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 2.9 për qind, shëndetësia me 2.9 për qind, si dhe veshjet dhe këpucët me 2.3 për qind.

Rritje më të vogla janë regjistruar te rekreacioni, sporti dhe kultura (1 për qind), informacioni dhe komunikimi (0.7 për qind), si dhe sigurimet dhe shërbimet financiare (0.3 për qind). Ndërkaq, çmimet e shërbimeve arsimore kanë shënuar rënie prej 0.3 për qind.

Në raport me muajin shtator, ASK-ja ka bërë të ditur se Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit nuk ka shënuar ndryshim në tetor.

Megjithatë, brenda këtij muaji janë regjistruar lëvizje të çmimeve në kategori të ndryshme. Rritja më e madhe është shënuar te strehimi, uji dhe energjia elektrike me 1.7 për qind, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar për 1.1 për qind.

Në anën tjetër, çmimet e transportit kanë rënë për 2.2 për qind, ato të rekreacionit, sportit dhe kulturës për 1.4 për qind, ndërsa veshjet dhe këpucët, si dhe informacioni dhe komunikimi, kanë shënuar rënie prej 0.1 për qind.

Të dhënat janë publikuar të martën nga Agjencia e Statistikave të Kosovës./A.K/

Exit mobile version