Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka reaguar pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ekzekutimin e pagave shtesë për punëtorët shëndetësorë. Sindika e Infermierëve thekson se janë të diskriminuar lidhur me pagat shtesë që i parasheh ligji antiCOVID, meqë sipas tyre, është ofenduese t’i marrin 150 euro.
“Duke mos dashur që të nënvlerësojmë punën e mjekut i cili në bazë të marrëveshjes përfiton 250€ në muaj, 150€ për infermierin duke e ditur punën, angazhimin dhe sakrificën e infermierit në raport me pacientin, kujdesin kontinual 24h për pacientin, dhënien e shërbimeve në çdo kohë, ne si Sindikatë e konsiderojmë diskriminuese si dhe mosvlerësim të profesionit, punës dhe angazhimit të infermierit”, thuhet në reagimin e tyre.
Ata i kanë bërë thirrje Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë ta rishqyrtojnë këtë marrëveshje.
“I bëjmë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të rishqyrtojnë urgjentisht marrëveshjen me akterët e involvuar pasi kjo marrëveshje është ofenduese për komunitetin infermier, mami dhe profesionist tjerë shëndetësor e cila tregon vlerësim joreal të punës së infermierit në periudhën në të cilën po kalon vendi ynë”, thuhet më tej në reagim.
Bëhet e ditur se Sindikata e Infermierëve të Kosovës pas takimit me kryesinë e Sindikatës, do të dalë me njoftimin mbi veprimet sindikale që do të ndërmarrin në shenjë paknaqësie ndaj kësaj marrëveshje që e konsiderojnë diskriminuese./UBTNews