UBT News

Infermierët pezullojnë grevën

Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe profesionistëve të tjerë shëndetësorë ka marrë vendim që përfundimisht të pezullojë grevën, përmes së cilës kërkohej dyfishimi i pagesave për ndërrimin e natës.

Pas kërkesës së kryeministrit Avdullah Hoti, greva është pezulluar disa herë dhe u vendos që kërkesat e tyre të realizohen.

Mirëpo pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rrëzimin e Qeverisë, greva është anuluar tërësisht, ka konfirmuar për Ekonomia Online Fitim Havolli, kryetar i kësaj sindikate.

 “E vërteta është që ndodhi çka ndodhi, të shtunën në mbrëmje erdhi vendimi i Gjykatës Kushtetuese, mirëpo nuk do të thotë se kryeministri nuk mundet prapë, ose të marrë vendim mbi bazën e kërkesës sepse atë kërkesë ia kemi dorëzuar me shkrim ashtu siç është kërkuar nga Sindikata e Infermierëve dhe të realizojë këtë kërkesë vërtetë të qëlluar dhe shumë stimuluese e domethënëse për këtë komunitet në vendin tonë”, theksoi ai.

I pyetur se a do të vazhdojnë me greva, Havolli tha se nuk ka kuptim më që grevat të realizohen, sepse sipas tij, nuk kanë ku t’i adresojnë kërkesat.

“Në këtë rast ne të vetmin person qe e kemi përballë për t’i realizuar këto kërkesa është qeveria, e në rast se tash kjo qeveri është në ikje ose në shkuarje, nuk ka asnjë kuptim të futemi ne në greva ose në protesta, përderisa nuk ki me kënd të bisedosh, prandaj po them në rast se e kanë seriozisht e kanë vullnet të mirë dhe presin që nesër të ju drejtohen qytetarëve me besimin që të ju jepet për shkak të nevojave që ka ky komunitet”, tha Havolli.

Madje Havolli thotë se që nga pas lufta sektori i shëndetësisë nuk është trajtuar me prioritet, raporton EO.

“Me të vërtetë nuk është trajtuar sektori i shëndetësisë dhe veçanërisht komuniteti i infermierëve që nga paslufta e këndej, sepse me të vërtetë shëndetësinë e kanë lanë keq që nga paslufta, mirëpo kjo pandemi ka ndikuar edhe më shumë, dhe në rast që nuk do të ishin këta profesionistë, shteti jonë do të ishte në krizë të madhe”, theksoi ai më tej.

Exit mobile version