UBT News

Infermierët ndihen të diskriminuar nga SHSKUK-ja, paralajmërojnë protesta dhe greva

Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të Qendrës Klinike Universitare ka reaguar lidhur me siç thonë ata diskriminimin e infermierëve që po u bëhet nga Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar (SHSKUK).

E reagimi i tyre ka ardhur si pasojë e mospagesës së një dite të lirë me datë 3 janar, që është konsideruar ditë feste për infermierët, për dallim nga mjekët të cilët janë paguar. Sindikata madje ka kërkuar që brenda shtatë dite, infermierëve t’u bëhet pagesa për këtë ditë feste, në të kundërtën paralajmërojnë greva dhe protesta.

“SHSKUK edhe këtë herë diskriminon infermierët, duke paguar për mjekët ditën e lirë të dt. 03.01.2023 si ditë feste. Ndërsa për infermierët ndodhë e kundërta, pagesë e rëndomtë si një ditë pune. Ne në asnjë rrethanë nuk jemi që mjekët mos të paguhen, por pse jo edhe infermierët, pse ky diskriminim nga SHSKUK?”, thuhet në reagim

“Duke qenë dëshmitarë që SHSKUK në vazhdimësi ka bërë hile ndaj infermierëve, duke shkelur ligjin e punës, ligjin kundër diskriminimit, Kushtetutën, ne edhe këtë herë do të mundohemi që këtë t’a zgjedhim përmes dialogut social, prandaj, kërkojmë nga SHSKUK që në afat prej shtatë ditësh të na garantohen pagesat si festë të datës 03.01.2023. Nëse kjo nuk garantohet, ne jemi të gatshëm që menjëherë pas kalimit të këtij afati, të fillojmë me protesta dhe të vazhdojmë me greva”, thuhet në reagim.

Exit mobile version