Kosova rrezikohet nga varianti “Delta”, pasi trendi i vaksinimit nuk është i lartë, kështu tha në një bisedë me Ekonomia Online, Infektologu Ilir Tolaj.
“Mendoj se Kosova është në një situatë më të lakmueshme për shkak të përhapjes paraprak të virusit gjegjësisht një përqindje jashtëzakonisht e popullatës e kanë kaluar me apo pa simptoma si dhe tash vaksinim i cili po bëhet pavarësisht që është pak i ngathtë në aspektin e vet do të jetë pozitiv edhe më mbrojtjen kundër këtij varianti”.
Ai tha se duhet të arrihet 60% i personave të vaksinuar.
Tutje, Tolaj tha se vaksinimi është e vetmja mbrojtje nga varianti “Delta” dhe variante të tjera që mund të lindin në të ardhmen.
“Në qoftë se ky trend përshpejtohet deri në fund të vitit është e mundur të arrihet kjo përqindje. Do të ishte shumë më mirë që përqindja më e lartë të arrihet edhe më herët. Këtë periudhë të qetësisë në raport me situatën epidemiologjike me Covid duhet ta shfrytëzojmë për t’i vaksinuar sa më shumë njerëz meqenëse po shihet edhe nga të dhënat nga vende tjera që ata që po infektohen me variantin Delta mbi 90% janë të pa vaksinuarit dhe ata që nuk e kanë kaluar infeksionin, ata që po hospitalizohen mbi 90% janë të pa vaksinuar dhe ata që po vdesin mbi 90% janë ata të pa vaksinuarit dhe që nuk e kanë kaluar infeksionin. Prandaj vaksinimi është mbrojtja e vetme edhe kundër variantit Delta dhe varianteve tjera që mund të lindin në ndërkohë”.
Sipas tij, mësimi duhet të vazhdojë sepse fëmijët nuk janë të atakuar nga virusi.
“Mësimi duhet të mbahet gjithsesi. Fëmijët nuk janë burim i infeksionit dhe gjithashtu nuk janë problemi kryesor i përcjelljes së infeksionit në mesin e popullatës së pa vaksinuar dhe ata që nuk e kanë kaluar”, tha Tolaj për EO.