UBT News

The Integrated Food Security Phase Classification: Skenari më i keq i urisë’ po zhvillohet në Gaza

Autoriteti kryesor global për krizën ushqimore, IPC (The Integrated Food Security Phase Classification), i mbështetur nga OKB-ja, ka dhënë një alarm të rëndë për situatën humanitare në Rripin e Gazës, duke paralajmëruar për përhapje të urisë dhe vdekje masive nëse nuk merren masa të menjëhershme.

Skenari më i keq i urisë po zhvillohet aktualisht në Rripin e Gazës,” thuhet në deklaratën alarmante të IPC-së, e cila thekson se uria, kequshqyerja dhe sëmundjet po përshkallëzohen në mënyrë të rrezikshme për jetën e civilëve. “Provat tregojnë qartë se këto kushte po çojnë drejt një rritjeje të vdekjeve të lidhura me urinë.”

Palestinezët mbajnë kuti me pako ushqimore dhe ndihma humanitare të shpërndara nga Fondacioni Humanitar i Gazës, në Rafah, Rripi jugor i Gazës, 27 maj 2025.

Edhe pse IPC nuk e ka shpallur ende zyrtarisht një gjendje urie, autoriteti njoftoi se do të zhvillojë analiza të mëtejshme pa vonesë. Paralajmërimi i fundit vjen në një kohë kur janë publikuar imazhe tronditëse të fëmijëve të kequshqyer dhe raporte të shumta për dhjetëra viktima si pasojë e urisë, pas gati 22 muajsh luftë të ashpër mes Izraelit dhe Hamasit.

Presioni ndërkombëtar ka shtyrë Izraelin të njoftojë së fundmi për disa masa lehtësuese, përfshirë pauza të përditshme humanitare në luftimet në pjesë të Gazës dhe dërgimin e ndihmave nga ajri. Megjithatë, sipas Kombeve të Bashkuara dhe burimeve palestineze në terren, ndikimi i këtyre hapave mbetet minimal. Kamionët e ndihmave humanitare vazhdojnë të mbingarkohen nga turma të dëshpëruara përpara se të arrijnë tek ata që kanë më shumë nevojë.

Gaza ka qenë në rrezik të urisë për dy vjet, por, sipas IPC-së, zhvillimet e fundit — përfshirë bllokadat gjithnjë e më të rrepta nga Izraeli — e kanë përkeqësuar situatën në mënyrë dramatike. Kjo krizë po i afrohet një pike pa kthim për popullsinë civile, ku fëmijët janë më të prekshmit.

Organizatat humanitare dhe OKB-ja i kanë bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërhyjë urgjentisht për të parandaluar një katastrofë humanitare të përmasave të paprecedenta në Gaza.

Exit mobile version