Përfaqësues të komunitetit hebraik në Shtetet e Bashkuara, thanë të mërkurën se Kosova bëri historinë duke u bërë vendi i parë evropian që hapi ambasadën në Jerusalem.
Këto komente ishin pjesë e një debati të organizuar nga Dhoma e Tregtisë Izraelito-Amerikane në Çikago, i mbështetur nga nga komuniteti Hebre i Cikagos dhe organizata shqiptaro-amerikane, lidhur me njohjen e Kosovës nga Izraeli dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet të dy vendeve.
Kosova hapi ambasadën e saj në Jerusalem më 14 mars, pasi që më 1 shkurt të dyja vendet vendosën marrëdhënie diplomatike. Me 4 shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë, në kuadër të një dakordimi për normalizimin ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në praninë e ish presidentit amerikan Donald Trump, u përfshi edhe pajtimi i Izraelit për njohjen e Kosovës dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike.
Në hapje të debatit të së mërkurës, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se popujt e të dyja vendeve kanë lidhje historike, “dhe ne shpresojmë t’i forcojmë, veçanërisht përmes bashkëpunimit ekonomik”.
E ngarkuara me punë në ambasadën e Kosovës, Ines Demiri, tha se hebrenjtë e Kosovës i takojnë komunitetit sefardik dhe ishin vendosur në Kosovë pas largimit nga Portugalia dhe Spanja, në periudhën e inkuizicionit.
Duke folur për historinë e marrëdhënieve ndërmjet dy popujve ajo tha se numri i hebrenjve ishte rritur gjatë Luftës së Dytë Botërore deri në kapitullimin e Italisë.
Më pas 258 hebrenj ishin deportuar nga forcat gjermane më pas dhe 92 kishin humbur jetën në kampet e përqendrimit. Një pjesë e tyre u largua nga Kosova pas krijimit të Izraelit më 1948, tha ajo.
“Njohja nga Izraeli është shume e rëndësishme për Kosovën dhe thyen të gjitha tabutë e ngritura nga ata që nuk e njohin Kosovën. Kjo njohje ndihmon pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe integrimin e saj në organizata ndërkombëtare. Njohja nga Izraeli është një nga arritjet më të mëdha duke falënderuar aleatin e përjetshëm, (Shtetet e Bashkuara), por edhe përkushtimin e udhëheqësve të Kosovës për të përmbushur detyrimin (për hapjen e ambasadës në Jerusalem) që u arrit në marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në Uashington”.
Bashkimi Evropian e vlerësoi për keqardhje vendimin e Kosovës për të hapur ambasadën në Jerusalem. Kosova u bë vendi i tretë që hap misionin e saj diplomatik në atë qytet, duke nxitur reagimin e autoritetit palestinez, disa vendeve të Ligës Arabe dhe të Turqisë e cila u bëri thirrje udhëheqësve të Kosovës “të heqin dorë nga ky hap, siç u tha, i papërgjegjshëm”.
Demiri tha se Kosova dhe Turqia kanë marrëdhënie të mira dhe do të mbeten miq, por pa diskutuar më tej rreth reagimeve.
Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 e cila është njohur nga mbi 100 vende të botës, ndërsa kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj Rusia.